LSDM, BDI e Lëvizja Besa ende pa pajtim për kryeparlamentarin

Maqedonia

LSDM, BDI e Lëvizja Besa ende pa pajtim për kryeparlamentarin

Më: 25 mars 2017 Në ora: 16:15
Kuvendi i Maqedonise

Të tre këto subjekte politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për postin e kryetarit të ardhshëm të parlamentit të Maqedonisë, sinjalizuan sot anëtarë të LSDM-së.

Jagoda Shahpaska, e LSDM-së, tha sot për mediat vendore se pritet që për këtë të mësohet më shumë të hënën.

“Të hënën do bëhet publike ajo se çfarë përmban marrëveshje e 67 deputetëve nga shumica e re parlamentare rreth zgjedhjes kadrovike për kreun e ri të Parlamentit,” tha ajo në një konferencë për shtyp.

Në garë për postin më të lartë  janë që të tre partitë, të cilat së bashku edhe me Aleancën për Shqiptarët kanë shumicën e votave në parlament përballë VMRO-DPMNE-së e cila ka 51 deputetë.

Talat Xhaferi është kandidat i  BDI-së. Oliver Spasovski nga LSDM. Ndërsa, Lëvizja Besa ende nuk e ka bërë publik emrin e deputetit të saj në garë për postin e krye-parlamentarit.

Kjo e fundit, dje e ka demantuar Bujar Osmanin e BDI-së i cili në një deklaratë la të kuptohet se kinse qenka punë e kryer dhe Xhaferi do të jetë më i madhi i parlamentit të ardhshëm.

Lëvizja Besa, dje sqaroi se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se gara mbetet ende e hapur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat