Andov: Kreu shqiptar i kuvendit nuk është risi për Maqedoninë

Maqedonia

Andov: Kreu shqiptar i kuvendit nuk është risi për Maqedoninë

Më: 25 mars 2017 Në ora: 20:53
Androv

Opsioni që Talat Xhaferi të hënën të propozohet për kryetar të Kuvendit, nuk do të thotë se për herë të parë në historinë e Maqedonisë për kryeparlamentar mund të zgjidhet një shqiptar. Në arkivat parlamentare ende qëndron biografia e Vullnet Starovës, shqiptar i cili ka qenë kryetar i parlamentit nga viti 1986 deri në vitin 1991 në kohën e Republikës Socialiste të Maqedonisë. Ish kryeparlamentari Stojan Andov për Alsat thotë se në rast të propozimit t një shqiptari për kreun e Kuvendit, nuk ka hapësirë për hamendje.

Përkatësia etnike nuk do të thotë asgjë, kjo nuk është pengesë, sepse ne deri më tani kemi pasur kryeparlamentar shqiptar. Ai është i nderuari pediatri Vullnet Starova i cili ishte para meje. Kur mbaroi mandati i tij, në Kuvendin e ri shumë-partiak u zgjodha unë. Kështu që ajo nuk mund të jetë pengesë, nuk pengonte asgjë, ishte kryetar i shkëlqyer, besoj se edhe Talat Xhaferi do të jetë i tillë, ajo nuk do të jetë pengesë. Tani nëse politikisht mendojmë se nuk është i përshtatshëm kjo është e dëshmuar te Talat Xhaferi. Nga ajo që e di ai e ka edhe besimin e VMRO-DPMNE-së, sepse ishte ministër në qeverinë e VMRO-DPMNE-së – tha Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit.

Kandidat shqiptar për kryeparlamentar ka pasur edhe pas pavarësisë së Maqedonisë, kur kundër-kandidat i Stojan Andovit ishte Abdurahman Aaliti, ish kryetar i PPD-së. Atëherë LSDM-ja nuk arriti të formojë shumicë parlamentare dhe e mbështeti Alitin. Shumicën i fitoi Andovi, por mbeti në kujtesë se maqedonasit kanë mbështetur shqiptar për të udhëhequr Kuvendin.

Atëherë ishim kandidatë unë dhe Aliti, por Aliti mendohej shumë nëse duhet të kandidohet, edhe vetë ishte i bindur pasi unë isha kandidat duhej edhe të të zgjidhesha. Ndryshe edhe ai do të ishte kryetar i shkëlqyer, ai ishte i tillë në çdo aspekt – u shpreh Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit.

Andovi thotë se çështja kryesore është që kryeparlamentari të dijë si ta kryej punën e vet, dhe sipas tij Xhaferi ka përvojë shumëvjeçare në Kuvend. Talat Xhaferi është ish oficer i ARM-së, i cili më vonë iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së. Pikërisht në përbërjen qeveritare të Nikolla Gruevskit ai u emërua ministër i Mbrojtjes, që është një nga funksionet strategjike për mbrojtjen e Maqedonisë, e cila tani sipas VMRO-DPMNE-së është e rrezikuar. Në shkurt të vitit 2013 ndërsa Xhaferi e jepte betimin solemn i pari që u ngrit në këmbë ishte Nikolla Gruevski- lideri i VMRO-DPMNE-së, parti e cila në periudhën e fundit i mohon të gjitha kërkesat e shqiptarëve dhe angazhohet për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, pikërisht nga shqiptarët. Në krye të ministrisë së mbrojtjes Xhaferi ishte deri në qershor të vitit 2014. Nëse javën e ardhshme Xhaferi propozohet për kryetar Kuvendi, për ta marrë këtë funksion duhet të votohet me shumicë të thjeshtë të votave, përkatësisht 61 deputete duhet ta votojnë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat