Analistët: Mund të pasojnë sanksione nga ndërkombëtarët

Maqedonia

Analistët: Mund të pasojnë sanksione nga ndërkombëtarët

Më: 26 mars 2017 Në ora: 18:01
Qeveria e Maqedonise

Nëqoftëse kriza politike në vend vazhdon të thellohet, në vend që të zgjidhet, atëherë faktori ndërkombëtar duhet të fillojë me sanksione, por për politikanët dhe jo ndaj qytetarëve. Kështu vlerësojnë për televizionin Shenja gazetarët Branko Gerovski dhe Isen Saliu, pas ngërçit politik që ka bllokuar formimin e qeverisë. Gazetari Gerovski druan nga sanksionet e BE-së të cilat mund të reflektonin ndaj të gjithë popullit, për shkak se, siç thotë ai, populli në këtë vend është dënuar shumë për vetë faktin që një kohë të gjatë është jashtë procesit euroatlantik dhe vazhdimisht fundoset në varfëri.

Gazetari Isen Saliu, mendon se nëse nuk bëhen lëvizje në drejtim pozitiv dhe nuk ka përmirësime atëherë është mirë që sanksionet eventuale të BE-së të jenë konkrete

“Të mos lënë hapësirë që dikush t’i interpretojë në mënyrë që ja Bashkësia ndërkombëtare, e gjithë bota, po bën konspiracion kundër Maqedonisë, kundër disa politikanëve të Maqedonisë, sepse do të kishin efektin e kundërt ato sanksione dhe do të glorifikonin, do të krijonin imazh pozitiv për politikanët që tani po bllokojnë procesin para opinionit maqedonas, duke pasur parasysh disponimin e një pjese të madhe të opinionit maqedonas që po rritet dhe që është disponim anti NATO, anti BE dhe anti ndërkombëtar në përgjithësi”, ka deklaruar Isen Saliu, gazetar.

Sipas gazetarit Isen Saliu, në fillim do të mjaftonte, që faktori ndërkombëtar të bënte kufizime të lëvizjes së atyre politikanëve që mbajnë procesin e bllokuar, takimet eventuale të caktuara me përfaqësues të BE-së dhe vendeve anëtare të saj të anulohen dhe ndërpriten. Me këto hapa do të dërgohej mesazh tek ata politikanë dhe qytetarët se kush e mban peng Maqedoninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat