Seanca konstituive, në të cilën debatohet për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do të vazhdojë sot në mesditë.
Dje, deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan se duhet të debatohet për këtë pikë sepse kjo do ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit që është njëri ndër funksionet më të rëndësishëm në shtet.
Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE theksoi se kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe kryetari i Kuvendit çdoherë vijnë nga grupi parlamentar fitues dhe se ai në zgjedhjet e fundit është VMRO-DPMNE.
Sipas tij, kandidati që do të propozohet për kryetar të Kuvendit duhet të jetë i gatshëm të hedhë poshtë, siç tha, platforma të krijuara në shtete të tjera për interesa të huaja të cilat vetëm e rrisin tensionin dhe përçarjen në Maqedoni, si dhe të jetë politikan dhe personalitet i cili nuk do të angazhohet dhe deri më tani nuk është angazhuar për revizion të Marrëveshjes së Ohrit.
Komisioni, theksoi Milloshoski, duhet t’i ketë parasysh jo vetëm cilësitë politike, por edhe morale të kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Duke reaguar në mënyrë procedurale, Oliver Spasovski nga LSDM tha se shumica e deputetëve të VMRO-DPMNE-së janë paraqitur për replikë dhe se është “me të vërtetë befasuese se si dhe në çfarë mënyre insistohet dhe zvarritet mbledhja e Kuvendit”. Cili është interesi i atyre që e bëjnë këtë”, pyeti Spasovski.
Ai pyeti edhe përse nëse nuk ka grupe të deputetëve, në ditët në vijim ka pasur koordinime.
“Me të vërtetë situata sillet në absurditet nëse ne katër apo pesë sa kemi qenë në koordinim jemi dakorduar në emër tonin personal, ndërsa kjo që po shoh sot në Kuvend deë se me të vërtetë kryetari Veljanoski ka arritur marrëveshje me pesë deputetë në Kuvend se si do të punojë Kuvendi me 120 deputetë. Kjo është jashtë çdo logjike të shëçndoshë parlamentare dhe demokratike”, tha Spasovski.
Pas reagimit të tij, Veljanoski tha se është në pajtim me Rregulloren, dhe se një deputet mund t’i replikojë një deputeti.
“Kështu është në pajtim me Rregulloren, nëse është politikisht e drejtë ose nuk është politikisht e drejtë qëndrimi juaj është një, qëndrimi i të tjerëve është tjetër, opinioni ka qëndrim të tretë. Ndryshe, në pajtim me Rregulloren të jemi konkret mund të replikojë njëri deputet ndaj deputetit tjetër i cili nuk është i grupit të njëjtë të deputetëve. Në këtë moment është e rëndësishme ta dini, grup deputetësh ka vetëm Lëvizja Besa. Mund të apeloj deri tek kolegët deputetë sa më pak ta shfrytëzojnë atë që të vijmë drejt seancës konstituive”, tha Veljanoski.
Reagoi edhe Ilija Dimovski i VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se shpreson se askush nuk do ta pengojë debatin në të cilin kanë të drejtë si deputetë dhe i cili garantohet në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren.
Dimovski tha se edhe krahas apelit të djeshëm të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev për debat në Kuvend, prej 51 të paraqiturve për diskutim nga LSDM janë paraqitur vetëm tre deputetë.
“Bëj thirrje që të respektohet Kushtetuta e RM-së dhe Rregullorja e Kuvendit për punë dhe apeloj deri tek kolegët e LSDM-së dhe partive të tjera që të kyçen në debat. Besoj se ky debat i frytshëm do të kontribuojë që qytetarëve t’u bëhen të qarta shumë dilema të cilat u hapën në tre muajt e fundit pas zgjedhjeve”, tha Dimovski.
Në një reagim procedural, Xhevat Ademi i BDI-së tha se deputetët këtu janë për zgjedhjen e organeve kuvendore dhe se duhet pasur kujdes se çfarë drejtimi i japin debatit.
“Mos u kapni për tema të parëndësishme. Kjo nuk i shërben as autoritetit tuaj të nderuar kolegë të mesit të sallës, do të thotë kapja për kashte për të ashtuquajtura platforma të huaja. Këtë e them publikisht me gjithë mandatin dhe autoritetin që e posedoj dhe deklaratat e partive shqiptare se kjo deklaratë ose platformë është produkt lokal vendor, është vendim i votës së qytetarit shqiptar, që u materializua më 11 dhjetor të vitit 2016″, tha Ademi.
Ai shtoi se në 80 për qind të programeve zyrtare të disa qeverive mund të gjenden elemente të Deklaratës së partive shqiptare, siç janë kërkesat për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe për barazinë ekonomike dhe sociale.
Sipas Milloshoskit, deputetët janë në Kuvend për ta mbrojtur vullnetin zgjedhor dhe të mos lejojnë që Maqedonia të bëhet shtet binacional.
“Këto shtete kanë institucione atrofike dhe nuk kanë mundësi për progres”, tha Milloshoski dhe shtoi se deputetët e kësaj përbërje kanë për detyrë nëse do ta ruajnë unitetin ose do ta shtyjnë drejt konceptit binacional të BeH.
Kërsto Mukoski i VMRO-DPMNE-së tha se duhet menduar mirë se kë do të propozojmë dhe do të zgjedhim si kryetar Kuvendi, pasi që 200.000 qytetarë dalin në rrugë për 30 ditë me radhë dhe duhet respektuar vullneti i tyre.
Bashkëpartiaku i tij, Vlladimir Gjorçev potencoi se kemi model të Maqedonisë për bashkëjetesë i cili funksionon në Maqedoni dhe se nuk dëshiron që ta përsërisë disfunksionalitetin e BeH-së.
Në Komisionin për zgjedhje dhe emërime VMRO-DPMNE, do të përfaqësohet me gjashtë anëtarë, LSDM do të ketë pesë, ndërsa BDI dhe Besa nga një anëtar.
Nga BDI si anëtar është përzgjedhur Xhevat Ademi ndërsa nga Lëvizja BESA Zeqiria Ibrahimi, nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski, i cili është propozuar edhe kryetar i Kuvendit si dhe Kërsto Mukoski, Daniella Rangellova, Dimitar Stevanaxhia dhe Bllagica Lasovska, nga LSDM Goran Misovski, Damjan Mançevski, Petre Shilegov, Muhamed Zeqiri dhe Ivana Tufegxhiq.