Seancës konstituive të Kuvendit të Maqedonisë nuk i shihet fundi

Maqedonia

Seancës konstituive të Kuvendit të Maqedonisë nuk i shihet fundi

Më: 28 mars 2017 Në ora: 19:12
Kuvendi i Maqedonisë

Deputetët, kryesisht nga radhët e VMRO DPMNE-së, vazhduan debatin me replika dhe kundër-replika si dhe fjalime procedurale ndaj njëri-tjetrit.

Ata kërkojnë hedhjen poshtë të platformës së partive politike shqiptare si kusht për vazhdimin e pikave të rendit të ditës, zgjedhjen e Komisionit për Zgjedhje dhe emërime dhe kryetarin e ri të Kuvendit.

“Ky Kuvend ka sot rolin që të zgjedhë kryetar të Kuvendit dhe anëtarët e Komisionit por që të funksionojë, ju keni qëndrim të qartë nga partitë shqiptare se platforma është pranuar, se ligji i shqipes është finalizuar dhe se në mënyrë plotësuese nga disa parti shqiptare, është theksuar se programi që propozoi Zaevi është programi i LSDM-së dhe se pas marrjes së mandatit, partitë shqiptare do të negociojnë për kërkesat e tyre”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE.

Radmilla Shekerinska nga radhët e LSDM-së, tha se nuk është marrëveshja e majit problemi më i madh.

“Nuk kanë qenë problem as bombat që treguan se sa lehtë e keni gënjyer opinionin. E dini çfarë të dhemb më së shumti? Për të shpëtuar disa njerëz, jeni të gatshëm për gjithçka. Që këtu shteti digjet, kurse ata tuajit të bëjnë gati valixhet dhe të largohen nga vendi. Ata kriminelë janë bashkuar pa dallim në përkatësinë e tyre etnike”, tha  Shekerinska.

Seanca u ndërpre disa herë gjatë ditës, ndërkohë që partia BESA kërkoi koordinim mes grupeve parlamentare ku kërkoi nga deputetët e VMRO DPMNE-së të mos zvarrisin seancën por të lejojnë formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe emërimin e kryeparlamentarit të ri.

Me 20 nënshkrime, LSDM-ja ka propozuar Talat Xhaferrin për kryetar të ardhëm të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat