Njihuni me Vullnet Starovën, kryeparlamentari i parë shqiptarë i Maqedonisë

Maqedonia

Njihuni me Vullnet Starovën, kryeparlamentari i parë shqiptarë i Maqedonisë

Më: 29 mars 2017 Në ora: 21:02
Vullnet Starova

Në kohën kur po bëhen tentativa për ta zgjedhur një shqiptar në krye të Parlamentit të Maqedonisë, duhet të kujtojmë se këtë post shqiptarët e kanë pasur edhe në Jugosllavinë komuniste.

Vullnet Starova ishte kryetari i fundit i kuvendit delegues të Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Në këtë funksion u zgjodh në mbledhjen konstituive të Kuvendit nga thirrja e katërt deleguese më 28 prill 1986, kur edhe u zgjodhën përbërjet e reja të Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Funksionin e ka kryer deri më 8 janar 1991, kur u konstatua Kuvendi i parë shumëpartiak.

Pastaj punonte në Fakultetin e Mjekësisë, në Klinikën e fëmijëve, por kryente edhe veprimtari si profesor universitar.

Starva ka lindur më 6 maj 1934, Pogradec, prej nga familja e tij vjen në Shkup, ndërsa është shuar nga jeta më 5 gusht të vitit 1995.

Si doktor specialist – pediatër dhe doktor i shkencave mjekësore ishte i kyçur në disa organizata politike-shoqërore dhe në organet e pushtetit. Përveç tjerash, ka qenë delegat në Dhomën Federative të Kuvendit të RSFJ-së, derisa në Kuvendin e RS të Maqedonisë ka qenë delegat nga viti 1965 deri në 1969 në Dhomën organizative-politike.

Gjithashtu, ka qenë anëtar i Kryesisë së Sindikatave të veprimtarive shoqërore, anëtar i Komisionit të Statutit të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë, anëtar i KQ të JKJ-së, u Konferencës Republikane të LSPPM-së dhe kryetar i Seksionit për shëndetësi.

Një kohë kryente edhe funksionin e kryetarit të Komisionit jugosllav për bashkëpunim me organizatën shëndetësore botërore, kurse ka qenë anëtar  dhe në Komisionin jugosllav për UNICEF. Disa vjet ka qenë edhe komandant i Shtabit Republikan për mbrojtje civile.

Nga viti 1974 deri më vitin 1978 Starova ka qenë nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të RSM. Krahas me këtë ka qenë anëtar dhe sekretar i Sekretariatit Republikan për shëndetësi dhe politikë sociale. Ka qenë kryetar i Këshillit për punë, shëndetësi dhe politikë sociale. Nga viti 1978 deri në vitin 1986 ka qenë delegat në Kuvendin e RSFJ-së – Dhoma Federative.

Është dekoruar me tri medalje: Vëllazërim-bashkim me Kurorë të Artë, për Punë me Flamur të Kuq dhe për Merita për Popullin me Yll të Argjend. Si kryetar i Kuvendit angazhohej të vepronte fuqishëm në përmirësimin e efikasitetit të Kuvendit, si organ më i lartë i pushtetit që në suazat e të drejtave dhe obligimeve të Republikës, edhe shtëpia parlamentare të hapet gjerësisht ndaj iniciativave dhe propozimeve të të gjithë pjesëmarrësve në sistemin delegues kuvendor.

Qëndrimi antishqiptar i Starovës

Edhe pse shqiptarë, figura dhe qëndrimet e tij janë vlerësuar si negativë në raportë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, njofton agjencia e lajmeve INA.

Historiani, Qerim Lita është shprehur se, veprimtaria e tij si politikanë ka qenë kryesisht antishqiptare.

“Përderisa pakënaqësia te shqiptarët kishte arritur kulmin, në anën tjetër, “përfaqësuesit” politikë “shqiptarë” në RS të Maqedonisë, jo që iu kundërvunë këtyre masave antishqiptare, por madje disa prej tyre do të jenë më të zëshëm se kolegët e tyre maqedonas, në mbrojtje të politikës tejet diskriminuese e antishqiptare të organeve partiake e shtetërore të zyrtarëve të Beogradit e të Shkupit. Ndër ta gjithsesi duhet veçuar kryetarin e atëhershëm të Kuvendit të RS të Maqedonisë, Vullnet Starova”, thekson Lita.

Ai mandje posedon edhe disa faksimile që e dëshmojnë veprimtarinë antishqiptare të Vullnet Starovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat