SHBA dhe NATO bëjnë thirrje për formimin e qeverisë së re në Maqedoni

Maqedonia

SHBA dhe NATO bëjnë thirrje për formimin e qeverisë së re në Maqedoni

Më: 4 prill 2017 Në ora: 16:27
Protesta në Maqedoni

Ambasadori i SHBA-së dhe zyra e NATO-s në Shkup kanë bërë thirrje për zgjidhjen e shpejtë të krizës institucionale në Maqedoni përmes respektimit të shumicës së reparlamentare dhe formimin e qeverisë së re.

Në manifestimin me rastin e shënimit të Ditës së NATO-s, ambasadori amerikan, Jess Baily edhe njëherë ka inkurajuar presidentin Gjorge Ivanov që ta zhbllokojë formimin e qeverisë së re, duke thënë se respektimi i parimeve demokratike dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës janë rruga e vetme që shpien vendin drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Ju keni Parlament ku mund të diskutohet për të gjitha çështjet. Por, me rëndësi është që të vazhdohet edhe me procesin e formimit të qeverisë... Po presim që vendi t’i përmbush të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos. Ka pasur zgjedhje kredibile në dhjetor, Kuvendi ka filluar me punë, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën mos lejimi i procesit të formimi i qeverisë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jess Baily, duke shtuar se bllokimi i mëtejmë i formimit të institucioneve do të ketë pasoja mbi vendin dhe qytetarët e tij.

“Nëse kjo nuk ndodhë, kjo do të thotë se ka ngecje, nuk mund të sillen vendimet, projekte që nuk do të përfundojnë dhe në fund qytetarët duhet të vendosin nëse kjo është ajo që duhet të bëjnë Parlamenti dhe liderët e tyre politikë”, ka theksuar Baily.

Edhe Aleanca Veri Atlantike pret respektimin e shumicës parlamentare. Kreu i zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol, gjithashtu kërkoi shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Të gjithë liderët politik duhet ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e procesit dhe formimin e shpejtë të një qeverie funksionale dhe efektive, e gatshme të zbatojë reformat urgjente prioritare. Aleanca dhe Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu i bënë thirrje të gjitha partive t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike”, ka deklaruar Bartol.

Kriza qeveritare është bllokuar në Kuvend nga VMRO DPMNE-ja e cila përmes ndërhyrjeve procedurale me fjalime ‘maratonë’ të deputetëve të saj, tani e shtatë ditë, po pamundëson zgjedhjen e Talat Xhaferit nga BDI-ja për kryetar të ri të Kuvendit nga radhët e shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit.

Koalicioni i ri pret që pas zgjedhjes së kryeparlamentarit t’i drejtohet edhe njëherë presidentit Gjorge Ivanov për mandatimin e Zoran Zaevit për kryeministër. Por, Ivanov të hënën pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se “nuk do të heq dorë nga vendimi”, për shkak të deklaratës së partive politike shqiptare me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i Maqedonisë.

Nga ana tjetër, LSDM-ja ka paralajmëruar masa për zhbllokimin e punimeve të Kuvendit, por pa saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat