Çka thotë gjenerali Ostreni për marrjen me forcë të Kuvendit

Maqedonia

Çka thotë gjenerali Ostreni për marrjen me forcë të Kuvendit

Më: 14 prill 2017 Në ora: 22:30
Gëzim Ostreni

Në zgjidhjen e krizës ne mbështesim 67 deputetët, mbështesim shumicën e krijuar, pasi këtë shumicë e ka zgjedhur populli. Kështu u shpreh kryetari i partisë UNITETI, duke shtuar se kjo është e vetmja zgjidhje institucionale. Ostreni i ftuar në emisionin e mbrëmshëm Arena në Televizionin SHENJA, theksoi se për thellimin e krizës politike dhe institucionale çdo ditë e më tepër po angazhohen VMRO-DPMNE dhe partitë që janë në kuadër të saj, të cilët sipas tij, duan që këtë krizë ta kalojnë në një krizë etnike me qëllim të pengimit të realizimit të proceseve të mëtejshme paszgjedhore. Ai thotë se duke pasur parasysh edhe konsultat me ekspertët, kjo që po ndodh aktualisht në kuvend është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndërkaq lidhur me skenarët e mundshëm për marrje me forcë të Kuvendit nga ana e shumicës parlamentare, Ostreni tha se kjo cilësohet si një realizim i ligjshëm i qëllimit për çka edhe organizohen zgjedhjet.

“Unë nuk do të kisha thënë marrja me forcë, por realizimi i dëshirës së shumicës së votuesve në Republikën e Maqedonisë. Ata duke besuar se shumica do ta merr parlamentin dhe do të realizojë programin i cili ka qenë gjatë kampanjës. Prandaj nuk është marrje me forcë por realizim i ligjshëm i qëllimit për çka organizohen edhe zgjedhjet”, tha kryetar i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.
Ostreni foli edhe për raportet brenda Aleancës për Shqiptarët. Ai tha se në krijimin e koalicionit “Aleanca për shqiptarët”, një grup ka punuar në unifikimin e programeve zgjedhore, e më pas është nënshkruar bashkëpunimi për krijimin e saj. Megjithatë, partitë e tjera në Aleancën për Shqiptarët kanë ndryshuar programin e përbashkët kokë më vete në fushatë.

“Në kushtet tona, ne kemi divergjenca në programet. Nëse i merrni dhe i shihni programet e partive tjera që janë në ‘Aleancën për shqiptarët’, që në fillim edhe pse u nënshkrua marrëveshja për program identik, gjatë fushatës e tëra u ndryshua. Partitë tjera kanë dalë me programin e vetë, edhe e kanë botuar programin e vetë, edhe në atë programe parashihet parlament dydhomësh, parashihet shtet binacional, parashihen sende që janë në kundërshtim me MO dhe Kushtetutën. Ne e kemi kundërshtuar, jo publikisht, kemi biseduar me palën tjetër, thanë se do ta përmirësojnë atë punë, por në realitet doli ashtu siç ishte“, theksoi Ostreni.

Ai edhe një herë përsëriti se shkrirja e partive brenda koalicionit, në një parti të vetme nuk mund të ndodh, pasi sipas tij, një gjë të tillë nuk e lejojnë vetë programet e partive të cilat nuk përputhen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat