Të martën rikthehet seanca maratonike e Kuvendit të Maqedonisë

Maqedonia

Të martën rikthehet seanca maratonike e Kuvendit të Maqedonisë

Më: 17 prill 2017 Në ora: 18:07
Kuvendi i Maqedonisë

Të martën deputetët do të kthehen në Kuvendin e Maqedonisë. Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë vazhdim i maratonës debatuese mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Nga 47 deputetët e VMRO-së sa janë paraqitur për fjalë, vetëm 6 prej tyre kanë përfunduar në 10 ditë debat.

Nëse vazhdohet me ritmin e tillë të replikave e kundër replikave mes deputetëve të VMRO-së, debati pritet të zgjasë me muaj. Gjatë dy javëve që lamë pas, kryefjalë e debatit ishte deklarata e përbashkët e partive shqiptare dhe kërkesat e VMRO- së për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Përkundër VMRO-së, LSDM-ja ka tentuar tre herë të kalojë në pikën e katërt të rendit të ditës me të cilën parashikohet zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit, por një e tillë u pamundësua nga kryesuesi i seancës ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Gjatë gjithë kësaj kohe LSDM-ja ka theksuar se ka strategji për zhbllokimin e Kuvendit por duke mos dhënë detaje rreth saj. Nga partia e Zoran Zaevit akuzojnë VMRO-DPMNE-në dhe presidentin George Ivanov për shkelje të Kushtetutës.

Jo zyrtarisht mësohet se LSDM-ja ka pasur disa nisma për marrjen e Kuvendit në duar, por asgjë nuk është konfirmuar nga socialdemokratët. Një ditë pas kësaj nisme ishin caktuar takimet koordinatave, por të njëjtat dështuan. Gjatë kësaj kohe, lideri i LSDM-së dhe BDI-së kanë zhvilluar takim në Kuvend, por pa kumtuar detaje dhe vendime të mundshme. Sipas profesorit Osman Kadriu shumica e re parlamentare si zgjidhje mund ta konsiderojë edhe daljen në rrugë.

“Mbështetja nuk është humbur aspak. Unë mendoj se mbështetja e fuqishme ndaj shumicës së re parlamentare mund që në të ardhmen të shndërrohet në manifestime dhe protesta masive nëse për një kohë të arsyeshme, të logjikshme dhe të kuptueshme nuk vihet deri te konstituimi i parlamentit dhe zgjedhja e Qeverisë së re”, tha Osman Kadriu, ekspert kushtetues.

Ndryshe nga Osmani, një pjesë e ekspertëve ditë më parë theksuan se mos-reagimi i fuqishëm ndaj bllokadës që deputetët e VMRO-DPMNE-së po ia bëjnë Kuvendit, mund të shkaktoj revoltën dhe humbjen e besimit të qytetarëve ndaj shumicës së re parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat