Bildt: Të respektohet Kushtetuta

Maqedonia

Bildt: Të respektohet Kushtetuta

Më: 18 prill 2017 Në ora: 15:07
Ish-ministri suedez për Punë të Jashtme, Karl Bildt

Ish-ministri suedez për Punë të Jashtme, Karl Bildt, deklaroi të martën në Shkup, pas takimit me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, se në çdo shtet demokratik ekziston Kushtetuta, e cila duhet të respektohet.

“Nuk mund të sjell një përfundim pasi që kam akoma shumë njerëz për t’i takuar. Duam të dëgjojmë çdonjërin. Por dua të them që ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por ndjekeni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë evropiane”, tha Bildt.

Ndonëse kishte paralajmërime se ish ministri i jashtëm suedez do të takohej edhe me presidentin e vendit, George Ivanov, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Bildt deklaroi se nuk janë të interesuar për t’u takuar me Ivanov.

“Nuk mund të thoni se ai ka refuzuar të takohet me mua, por thënë sinqerisht ne nuk jemi të interesuar aspak ta takojmë atë. Kemi shumë takime të tjera primare me forcat politike dhe nuk jemi këtu për ta takuar presidentin. Derisa nuk e kam takuar atë dhe nuk e kam dëgjuar nuk mund ta komentoj pozicionin e tij. Së pari do t’i dëgjojmë forcat politike”, tha Bildt.

Bildt me këtë rast është shprehur se në misionin e tij kalues me organizatën panevropiane është të mbledh informacione, të cilat do t’u kumtohen liderëve evropian.

Pas takimit në LSDM, Bildt ka shkuar në Reçicë të Vogël për të realizuar takim me kryesinë e BDI-së. Ndërkohë që më pas do të takohet edhe me kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruesvki dhe atë të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat