Debati në Kuvendin e Maqedonisë, fjalime e akuza të njëjta

Maqedonia

Debati në Kuvendin e Maqedonisë, fjalime e akuza të njëjta

Më: 18 prill 2017 Në ora: 15:15
Kuvendi i Maqedonisë

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë të martën po vazhdojnë seancën konstituive me replika dhe kundër replika, si dhe fjalime e akuza të njëjta.

Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, pyeti kolegët e tij pse nuk u pengon përdorimi i gjuhës greke në Gjevgjeli dhe ju pengon gjuha shqipe, gjuhë të cilën e flet 25 për qind e popullatës në Maqedoni.

Alimi tha se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë legjitime e garantuar edhe me Marrëveshjen e Ohrit  dhe nuk ka pse t’i pengojë askujt.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të VMRO-së, Ilija Dimovski, i cili tha se krahasimi që e bëri deputeti Alimi  është jo korrekt.

Dimoski tha se deklarata e përbashkët e partive shqiptare kërkon ri-negocimin e Marrëveshje paqësore kornizë të Ohrit, ku në mënyrë precize është definuar përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ndryshe, seanca e sotme vjen si vazhdim i maratonës debatuese mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Nga 47 deputetët e VMRO-së sa janë paraqitur për fjalë, vetëm 6 prej tyre kanë përfunduar në 10 ditë debat.

Nëse vazhdohet me ritmin e tillë të replikave e kundër replikave mes deputetëve të VMRO-së, debati pritet të zgjasë me muaj. Gjatë dy javëve që lamë pas, kryefjalë e debatit ishte deklarata e përbashkët e partive shqiptare dhe kërkesat e VMRO- së për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përkundër VMRO-së, LSDM-ja ka tentuar tre herë të kalojë në pikën e katërt të rendit të ditës me të cilën parashikohet zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit, por një e tillë u pamundësua nga kryesuesi i seancës ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Gjatë gjithë kësaj kohe LSDM-ja ka theksuar se ka strategji për zhbllokimin e Kuvendit por duke mos dhënë detaje rreth saj. Nga partia e Zoran Zaevit akuzojnë VMRO-DPMNE-në dhe presidentin George Ivanov për shkelje të Kushtetutës.

Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet ketë gjashtë përfaqësues nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM, ndërsa BDI dhe BESA të kenë nga një anëtar.

Seanca konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre sepse nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjdhënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat