”Lagjja e Trimave”, afati dyvjeçarë i lëndës rrezikon të skadojë

Maqedonia

”Lagjja e Trimave”, afati dyvjeçarë i lëndës rrezikon të skadojë

Më: 19 prill 2017 Në ora: 10:28
Grupi i Kumanoves

Thuajse dy vjet pas ngjarjes së” Lagjes së Trimave” në Kumanovë, lënda është e bllokuar në procedurë gjyqësore dhe rrezikohet të skadojë afati ligjor prej dy viteve, sipas të cilit të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim. Para festave dhe pushimit kolektiv të gjyqtarëve kanë mbetur edhe disa muaj. Për këtë arsye, mbrojtja do të kërkojë plotësimin e provave me qëllim zbardhjen e rastit.

“Në dëshmitë e të akuzuarve përmenden disa persona të cilët mbrojtja i ka propozuar për të plotësuar provat dhe ne presim nga gjykata që të njëjtat të pranohen me qëllim ata të dëgjohen dhe të sqarohet situata faktike”, tha  Asmir Alispahiq, avokat.

Nga Gjykata Themelore Shkupi 1, njoftuan se për këtë rast, pas festave do të mbahen 12 seanca gjyqësore, për të vazhduar me parashtrimin e provave nga ana e mbrojtjes, para se gjykatësit të shkojnë në pushim kolektiv.

“Në lidhje me lëndën “Lagja e Trimave”, seanca e radhës është caktuar më 19 prill dhe pas asaj, pasojnë edhe tre seanca tjera. Tetë seanca janë caktuar për muajin maj, pastaj varësisht nga orari do të caktohen edhe seanca të tjera. Në seancën e fundit u paraqitën provat nga ana e mbrojtjes”, nga Gjykata Themelore Shkupi 1.

Mbrojtja e të akuzuarve pret nga gjykata vërtetimin e të gjitha detajeve dhe të gjendjes faktike. Por në rast të skadimit të afatit ligjor, atëherë mbrojtja do të kërkojë që të akuzuarit të lirohen nga paraburgimi dhe të mbrohen në liri.

“Ligji është i qartë. Në rast se procedura ligjore nuk përfundon në afat prej dy viteve pas plotfuqishmërisë së aktakuzës, atëherë të akuzuarit duhet të lirohen dhe të mbrohen në liri. Mendoj se për një lëndë të tillë me 37 të akuzuar dhe me material të vëllimshëm të provave të Prokurorisë Publike, qëllimi duhet të jetë vërtetimi i gjendjes juridike faktike. Nuk duhet të insistohet që rasti të përfundojë brenda këtyre dy viteve, megjithatë kjo nuk është puna jonë por e gjykatës”, tha Asmir Alispahiq, avokat mbrojtës.

Aktakuza për lëndën “Lagja e Trimave” u ngrit në nëntor të vitit 2015. 29 persona janë në grupin e parë të të akuzuarve, për të cilët pas disa muajve skadon afati ligjor për t’u mbajtur në paraburgim. Kësaj procedure gjyqësore, më vonë iu bashkuan edhe tetë të arrestuarit në operacionin “Rrufeja”. Të gjithë të arrestuarit akuzohen për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”. Në operacionin e Ministrisë së Brendshme në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u vranë tetë policë, ndërsa u plagosën më shumë se tridhjetë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat