Mungon kuadri profesional për fëmijët me autizëm në Maqedoni

Maqedonia

Mungon kuadri profesional për fëmijët me autizëm në Maqedoni

Më: 22 prill 2017 Në ora: 16:33

Në Maqedoni fëmijët me autizëm ballafaqohen me probleme të mëdha, si pasojë e mungesës së kuadrit profesional. Me këtë problem ballafaqohen dhe institucionet edukative dhe arsimore të rajonit të Gostivarit, shkruan gazeta Koha. Mungesat vërehen në shkolla, por edhe në çerdhet e fëmijëve parashkollor. Megjithëse fëmijët me autizëm përfshihen në arsimin e rregullt fillor, jo të gjitha shkollat janë të përgatitura që atyre t’u sigurojnë arsimin përkatës, në përputhje me nevojat e tyre.

Një nga këto institucione është edhe Çerdhja për fëmijë “Gëzimi fëmijëror”, në Gostivar, në suaza të së cilës funksionojnë tre çerdhet e qytetit. Nga atje pohojnë se mungesë të tillë dhe se institucioni ka adresuar përmes Komunës së Gostivarit kërkesë deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, mirëpo pasi ka ndalesë nga Komisioni për Antikorrupsion për punësime të reja për shkak të gjendjes politike, si rezultat i mosformimit të qeverisë së re, përgjigja ka qenë negative. Zëvendësdrejtoresha Sindis Memedi thotë për KOHA që pas tejkalimit të krizës politike kërkesa do të përsëritet deri tek institucioni gjegjës.

Bashkim Hasani, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivar, thotë që nëse do të paraqitet ndërkohë ndonjë kuadër i diplomuar në këtë drejtim, edhe nëse nuk do të merret pëlqim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, është komuna e Gostivarit që do të siguron mjete të nevojshme financiare për rrogën dhe kontributet shtesë me qëllim të angazhimit sa më të shpejt të kuadrove të tilla.

Nga Instituti për Defektologji thonë se gjendja me defektologët është alarmante. Në çdo shkollë duhet të ketë nga një defektolog, që të punojë çdo ditë me fëmijët me autizëm, por kuadri profesion është në mungesë.

Krahas mungesës së kuadrit, mungojnë edhe trajnimet në kuadrin mësimdhënës për punë me këta fëmijë, mungon sensibilizimi i plotë i kuadrit mësimdhënës, ka mësimdhënës të cilët refuzojnë të punojnë dhe konsiderojnë se fëmijët me autizëm nuk duhet të jenë pjesë e arsimit të rregullt fillor, por duhet të regjistrohen në paralele ose në shkolla fillore të veçanta. Vërehet edhe diskriminim nga prindërit e moshatarëve të tyre.

Sipas statistikave, gati 20% e fëmijëve me autizëm kanë inteligjencë normale, 5% kanë inteligjencë mbi mesatare, ndërsa 75% kanë inteligjencë mjaft të ulët dhe këta të fundit e kanë shumë më të vështirë të përfshihen në shkollë. Krahas Qendrës Ditore për fëmijët me nevoja të posaçme, paralele të posaçme ka edhe në shkollat Ismail Qemali dhe Mustafa Kemal Ataturk. Te kjo e fundit, funksion paralelja speciale për fëmijët me nevoja të posaçme dhe është e pajisur me set logopedik Behringer dhe aparat logopedik vibrafon për trajtimin e problemeve dhe vështirësive në të folur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat