Ahmeti: Partitë maqedonase frikësohen nga ndonjë hakmarrje të mundshme

Maqedonia

Ahmeti: Partitë maqedonase frikësohen nga ndonjë hakmarrje të mundshme

Më: 24 prill 2017 Në ora: 23:14
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, edhe njëherë ka deklaruar se dy partitë maqedonase, duhet të lënë anash interesat partiake, e të mendojnë për të ardhmen e vendit.

Shqiptarët e bënë punën e tyre, siguruan shumicën parlamentare, por për të respektuar vullnetin e shumicës dhe për të krijuar institucione funksionale, duhet të angazhohen të gjithë, partitë maqedonase në radhë të parë, thotë Ahmeti.

“Numrat nuk na japin mundësinë të jemi faktor vendimtar. Mund të jemi vendimtar në formimin ose jo të qeverisë apo parlamentit sepse moment varet nga shqiptarët, por tani nuk imponojmë dot në saj të numrave, bindjen te palët për të tejkaluar dyshimet njëra ndaj tjetrës …Nuk dua të jem skeptik e as të përhap defetizëm por mbetem në atë që kam thënë se pa një dialog të mirfilltë e pa një mirkuptim mes OBRM-së dhe LSDM-së, vështirë që gjërat të lëvizin për së mbari”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti thotë se partitë maqedonase frikësohen nga ndonjë hakmarrje eventuale dhe kjo sipas tij i pengon të dialogojnë e të përcaktohen për realizimin e programeve politike dhe avancimin e cështjeve në RM. Sipas Ahmetit, zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën, njofton RTVM.

“Zgjedhjet e parakohëshme, nuk e zgjedhin krizën …OBRM dhe LSDM t’i tejkalojnë interesat partiake e të bindin njëri tjetrin që në këtë vend duhet të funksionojë shteti ligjor, se nuk do ketë hakmarrje por drejtësia duhet të ndajë drejt drejtësinë. BDI ka pasur të drejtë legjitime të vë në pikëpyetje drejtësinë për shkak të padrejtësive që I është bërë, me përgjimet e paligjshme që është një ndër goditjet më të rënda për BDI në këto 17 vjet, por ne e kemi tejkaluar për hir të interesave më të mëdha shtetërore”, shtoi Ahmeti.

Ahmeti porosit partitë maqedonase të tejkalojnë interesat e ngushtë e të angazhohen për një shtet ligjor, për një dalje sa më të shpejtë nga kriza dhe vënien në funksion të institucioneve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat