VMRO kërkon takim liderësh për zgjedhje të reja, LSDM refuzon

Maqedonia

VMRO kërkon takim liderësh për zgjedhje të reja, LSDM refuzon

Më: 25 prill 2017 Në ora: 14:33
Ilustrim

Përfaqësues të VMRO DPMNE, thonë se kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet përmes procedurës së tanishme parlamentare, por nevojitet takim i liderëve të partive politike.

Sipas tyre në takim do të diskutohej për të gjitha çështjet e hapura, pa anashkaluar pikat që, siç thonë, cenojnë integritetin e vendit.

Takimi mendohet se do t’i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit, ka afro katër muaj që po mbanë të bllokuar krijimin e qeverisë së re me arsyetimin se ajo rrezikon shtetin maqedonas nga ajo që e quan “Platformë e Tiranës”.

“Përveç se të ulemi në tavolinë të përbashkët ku do të hapim debatin për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të gjitha të tjerat që kërcënojnë Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit, zgjidhje tjetër nuk mund të ketë”, ka deklaruar Kërste Mukoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Zyrtarë të partisë thonë se me të gjitha forcat do të vazhdojnë të kundërshtojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferi, i propozuar nga LSDM-ja dhe dy partitë shqiptare BDI dhe “Aleanca për Shqiptarët”, të cilat siç thotë VMRO-DPMNE, “rrezikojnë karakterin unitar të shtetit me pranimin e deklaratës së partive shqiptare, pikat e së cilës synojnë zgjidhjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve”.

Por Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit, nuk ka pranuar zgjedhje të reja dhe takim liderësh pasi, sipas saj, ‘tanimë ka një shumicë të re parlamentare që duhet të pranohet nga Nikolla Gruevskit dhe presidenti Gjorge Ivanov’.

“Për çfarë dhe me kë të bisedojmë në një takim të tillë të liderëve. Ne kemi pasur takime të tilla ku u arrit marrëveshja e Përzhinës për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Zgjidhja e krizës qëndron tek Gruevski. Ai duhet ta dorëzojë pushtetin për t’i mundësuar shumicës së re formimin e institucioneve“, ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënësi i LSDM-së.

Debati për zgjedhje të reja ka nisur të forcohet duke marrë parasysh bllokimin e punës së Kuvendit, por sa zgjedhjet mund të zgjidhin krizën është çështje po ashtu e diskutueshme që lë pak optimizëm për një drejtim pozitiv të zhvillimeve në Maqedoni.

“Edhe nëse kemi zgjedhje të reja dhe në ato zgjedhje përsëriten të njëjtat rezultate, atëherë Maqedonia sërish do të ballafaqohet me krizë. Apo nëse kemi zgjedhje dhe në to fiton VMRO DPMNE-ja, do të kemi një praktikë të rrezikshme për demokracinë në Maqedoni pasi në të ardhmen do të mund të paraqitej një situatë e njëjtë ku një parti politike do të pamundësonte tranzicionin paqësor të pushtetit, do të kërkonte zgjedhje të parakohshme dhe do të kërkonte që me dhunë të fitojë legjitimitetin nga qytetarët”, thotë Xhelal Neziri analist dhe drejtues i qendrës për gazetari hulumtuese.

Ai mendon se kriza ndoshta mund të nis të marrë epilog pozitiv me një rol më aktiv të bashkësisë ndërkombëtare, pasi situata mund të përkeqësohet nëse së shpejti nuk dilet nga bllokimi institucional.

“Ajo që mund të pritet dhe të shihet në perspektivë është përdorimi i sanksioneve ndaj personaliteteve kryesore apo bartësve të institucioneve në Maqedoni, që të bëhet një lloj presioni ndaj tyre që të zhbllokojnë gjendjen e tanishme për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re”, thotë Neziri.

Kriza politike ndërkohë ka nisur të reflektohet edhe në aspektet ekonomike dhe sociale. Ekspertët kanë paralajmëruar se pas dy muajve do të ketë vështirësi financiare në pagesën e pensioneve ndërsa ndihmat sociale për familjet e rrezikuara tani më kanë nisur të mos paguhen me rregull. Probleme financiare priten edhe në sektorin privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat