Pamje të reja nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, ja përleshja Selës e Zaevit me protestuesit sllavomaqedon

Maqedonia

Pamje të reja nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, ja përleshja Selës e Zaevit me protestuesit sllavomaqedon

Më: 27 prill 2017 Në ora: 21:28
Zoran Zaev i përgjakur nga protestuesit maqedonas.

(E plotësuar) - Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vladimir Gjorçev, është gjendur para protestuesve duke tentuar ti largonte ata nga salla e konferencave.

Gjorçev ka arritur t’I bindë organizatorët që mos të vazhonin të gjuanin me gjësende të forta në drejtim të Zaevit, Selës dhe deputetëve të tjerë që gjendeshin aty. Në video shihet teksa Gjorçev flet me një protestues me maskë dhe pastaj ai jep sinjal tek të tjerët për të ndaluar sulmin.

Zaev refuzon ftesën e Ivanovit për takim, protestuesit në tenda përpara Kuvendit

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të diskutuar zgjidhjen paqësore të krizës së re në vend, të shkaktuar pas hyrjes në Kuvend të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët.

Të paktën 100 persona u lënduan, në mesin e tyre edhe lideri social demokrat Zaev dhe një numër deputetësh të partisë së tij dhe partive të tjera shqiptare, gjatë dhunës së përdorur nga protestuesit.

Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, njësitet speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit, protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda, me ç`rast kanë sulmuar fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare.

Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës “për Maqedoni të përbashkët”, të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën Talat Xhaferin për kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

Policia ndalon protestuesit

Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se gjatë natës së enjte ka ndaluar disa protestues të cilët kanë ushtruar dhunë në parlamentin e Maqedonisë duke nënvizuar se gjatë ditës së premte, do të informojnë për numrin e saktë të personave të ndaluar.

Nga ky dikaster gjithashtu kanë bërë të ditur se janë evakuar të gjithë deputetët dhe gazetarët të cilët mbetën të ngujuar pas hyrjes me dhunë të protestuesve, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Qytetit ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore.

Protestuesit përkrahës të VMRO DPMNE-së i kanë shkaktuar lëndime serioze trupore liderit të Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, liderit Social Demokrat, Zoran Zaev ndërkohë që e kanë tërhequr zvarrë dhe deputeten e LSDM-së Radmilla Shekerinska.

Nga partia e Zijadin Selës, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zoti Sela mbetet nën përkujdesjen intensive të mjekëve përderisa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dikasteri i policisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

Policia ka përdorur bomba ç'orientuese për t'i larguar protestuesit nga godina e parlamentit.

Pas kësaj, një pjesë e protestuesve vendosën tenda para godinës së parlamentit për ta kaluar aty natën, siç kanë thënë, në mbrojtje të Parlamentit të Maqedonisë.

Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, MPB: 102 të plagosur, ja masat që kemi marrë

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas sulmit të mbrëmshëm është normalizuar gjendja në Kuvend dhe rreth tij, duke u rivendosur rendi dhe qetësia.

Nga MPB njoftojnë se pas trazirave të shkaktuara, do të ndërmarrin masa dhe aktivitete shtesë me qëllim të mbrojtjes së sigurisë së qytetarëve, pronave dhe sigurimin e gjendjes stabile të sigurisë.

Sipas deklaratës së MPB-së, gjithsej 102 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë. Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

MPB bën të ditur se tanimë të gjithë janë larguar nga hapësirat e Kuvendit, ndërsa protestuesit akoma po vazhdojnë të qëndrojnë jashtë tij.

Evakuohen deputetët dhe gazetarët nga Kuvendi i Maqedonisë

Policia ka arritur që përmes një korridori të largojë deputetët dhe gazetarët që kishin mbetur në Kuvendin e Maqedonisë, pasi Kuvendi i pushtua nga protestuesit maqedonas.

Të fundit janë evakuuar kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ishte i gjakosur dhe i lidhur me fasha.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu ka deklaruar se policia është duke e rikthyer kontrollin, ndërsa njoftoi se nga dhuna e protestuesve janë lënduar 14 policë, disa qytetarë ndërsa nuk ka dhënë numër të deputetëve dhe gazetarëve të lënduar.  

Situata ka dal jashtë kontrollit, pas zgjedhjes së kryetarit të Maqedonisë nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi. Protestuesit të udhëhequr nga lëvizja “Për Maqedoni të përbashkët” kanë pushtuar Kuvendin, duke sulmuar deputetët dhe gazetarët. Nga pamjet e transmetuara, mesë shumti kanë pësuar deputeti shqiptar Ziadin Sela, Zoran Zaev e deputetë të tjerë.  

Forcat policore të Maqedonisë kanë ndërhyrë në Kuvend, të cilët raportohet se kanë përdorur gaz lotsjellës, ndërsa në këto momente nuk po mund të kontaktohet asnjë deputetë që gjendet brenda Kuvendit të Maqedonisë.

Edhe pse Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu deklaroi më parë se gjendja po vjen drejt kontrollit, mediat lokale raportojnë, se kaosi brenda Kuvendit të Maqedonisë është duke vazhduar, kurse drejt Shkupit janë nisur qytetarë nga qytete tjera të Maqedonisë.

KosovaPress ka tentuar të flas me disa nga deputetët që ndodhen brenda Kuvendit të Maqedonisë, por një gjë ë tillë ka qenë e pamundur, nuk dihet nëse valët telefonike janë bllokuar për arsye sigurie, apo telefonat e tyre nuk janë funksional për arsye tjera teknike.

Ndryshe situata ka dal jashtë kontrollit, pas zgjedhjes së kryetarit të Maqedonisë dhe protestuesit të udhëhequr nga lëvizja “Për Maqedoni të përbashkët” kanë pushtuar Kuvendin.  

Image

Adrian Kerimi raporton se për momentin po dëgjohen të krisma në Kuvend, si duket bëhet fjalë për shok bomba, njësiti special po përdor bomba gazi për të larguar protestuesit nga Kuvendi.

Sipas të dhënave të fundit të LSDM-së 10-15 deputetë të LSDM-së janë të lënduar, mes tyre edhe vetë kreu i LSDM-së Zoran Zaev por edhe nënkryetari i kësaj partie Damjan Manceski.

Afrim Gashi nga Lëvizja BESA deklaron se deputetët e kësaj Lëvizje janë shëndosh e mirë, pasi që ata kanë braktisur godinën e Kuvendit para se të filloj situata të tensionohet. Gashi konfirmoi se deputetët e BESËS kanë braktisur Kuvendin para se të përshkallëzohet situata. Gashi u shpreh se nuk ka posedon informata për atë se çka po ndodhë brenda Kuvendit.

Sipas Gashit të sulmohet tempulli i demokracisë nënkupton aktin më të lartë të dhunës. Ai uroi që situata të normalizohet dhe të evitohet dhuna.

Gazetari Blerim Ismaili për momentin raporton se në zyrat  ku janë të ngujuar gazetarët nuk vërehet tym. Ai tha se gazetarët e ngujuar i ka kontaktuar Shoqata e gazetarëve.

Image

Sela: U sulmova nga dhunuesit e parlamentit

Kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela në një prononcim për Strugalajm.com konfirmon se edhe ai ka qenë shënjestër e grupit që sulmoi deputetët në parlamentin e Maqedonisë.

Edhe pse nuk pranoi të flasë më shumë detaje Sela konfirmoi se ai ishte rrethuar dhe ndaj të tij është ushtruar dhunën.

Në Maqedoni ka eskaluar situata pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të parlamentit, pas së cilës turma ia ka mësyrë sallës së Kuvendit.

Alsat ka njoftuar se në mesin e deputetëve më të lënduar është ai shqiptar, Zijadin Sela. Mësohet se gjendja e Zjadin Selës është jashtë rrezikut për jetën.

Një fotografi ku besohet të jetë deputeti nga Struga e shpërfaq atë në gjendje të rëndë shëndetësore e me fytyrë të përgjakur duke e tërhequr zvarrë disa persona.

Nga Shkupi, edhe njëherë shqiptarëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Ambasadorët e vendeve të Quintit në Shkup kanë bërë apel që të ndalet dhuna, ndërsa Komisionari Hahn ka thënë se dhuna nuk e ka vendin në Kuvend.

Image

Protestues hyjnë në Parlamentin e Maqedonisë pas zgjedhjes së Presidentit shqiptar të Parlamentit

Protestues hynë sonte me forcë dhe pushtuan Parlamentin e Maqedonisë për të protestuar kundër votimit   për mendimin e tyre jokorrekt për zgjedhjen e kryetarit shqiptar të Parlamentit. Një reporter i agjencisë së lajmeve AFP tha se e pa drejtuesin e opozitës Zoran Zaev me gjak në fytyrë, në kaosin që pasoi hyrjen në sallë të mbështetësve të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Sipas informacioneve të tjera, Zaevi ishte plagosur lehtë. Në njoftime kundërthënëse reporterë të tjerë të agjencisë Reuters thanë se fillimisht nuk kishin parë dhunë.

Pasi siguroi mbështetjen edhe të një partie tjetër shqiptare në Parlament, udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev tha se mund ta zgjedhë Presidentin e Parlamentit. Talat Xhaferri u zgjodh Presidenti i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë që kur Maqedonia fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991. Në vitin 2001 Maqedonia u përfshi nga lufta civile pas kryengritjes së shqiptarëve.

Image

Mbështetësit e Gruevskit e shohin koalicionin e socialdemokratëve të Zaevit me partitë shqiptare si kërcënim për unitetin e kombit. Presidenti i Maqedonisë nuk pranon t'ia japë Zaevit mandatin për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat