Kuvendi i Maqedonisë nën kontrollin e Policisë, Zaev kërkon formimin e qeverisë

Maqedonia

Kuvendi i Maqedonisë nën kontrollin e Policisë, Zaev kërkon formimin e qeverisë

Më: 29 prill 2017 Në ora: 07:32
Kuvendi i Maqedonisë një ditë pas trazirave

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike se pas ngjarjeve të djeshme dhe trazirave 83 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Shkupit, nga të cilët 54 qytetarë, 25 policë dhe 3 deputetë e një gazetar.

Shumica e të lënduarve janë lëshuar nga spitalet, ndërkaq disa dhjetëra janë mbajtur për shërim, për shkak të lëndimeve më serioze, shkruan REL.

Ministria bëri me dije se janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe ata po mbahen në stacion policor.

Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi.

“Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithëve që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshirë edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ. MPB-ja është institucion që duhet ta garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike”, tha ministri Nuhiu.

Nuhiu tha se një pjesë e drejtuesve të dikasterit të policisë nuk kanë vepruar në bazë të ligjeve për të ruajtur qetësinë dhe rendin, por kanë vepruar në bazë të urdhërave që kanë marrë nga qendrat politike.

Megjithatë, Agim Nuhiu tha se pjesa më e madhe të punësuarve në dikasterin e policisë janë profesionistë me ndihmën e të cilëve situata është vënë nën kontroll.

Ministri Nuhiu tha se të gjithë ata të punësuar që kanë tejkaluar kompetencat, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

“Apelojmë tek Prokuroria Publike që në mënyrë aktive të inkuadrohet dhe në afat sa më të shpejtë t’i zgjidhim këto çështje. Dua të theksoj se jam i dëshpëruar se një pjesë e protestuesve nuk lejuan që ndihma e parë të hyjë në Kuvend dhe t’u ofrojë ndihmë të lënduarve. Kjo është jo-njerëzore” ,tha ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë.

Ai tha se për periudhën katër mujore sa është në krye të këtij institucioni, ndjen përgjegjësi se nuk ka arritur të mënjanojë politikën nga struktura udhëheqëse në MPB.

“Për këtë arsye do të kërkojë tërheqjen time nga posti i ministrit të brendshëm“, ka theksuar ministri Nuhiu.

Zaev: Kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vazhdojmë me institucionet tjera

Lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, i cili kryeson shumicën e re parlamentare zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, edhe pwrkundwr zhvillimeve të dhunshme në këtë institucion gjatë ditës së djeshme, e ka cilësuar si njw hap shumw të rëndësishëm për proceset demokratike

“Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike, sipas shumicës parlamentare. Kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe e përkujtoj se e mbështesim fuqishëm”, ka theksuar lideri I social demokratëve.

Duke komentuar zhvillimet e dhunshme në parlament, me c`rast njw pjesë e protestuesve kishin sulmuar deputetët e shumicës parlamentare, ne mesin e të cilëve ishte dhe ai, Zaev tha se dhunuesit ishin pjesëtar të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.

Lideri i LSDM-së tha se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Ivanovit, duke e bërë përgjegjës për atë që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme.

Në formë ironike Zaevpyeti se ku do të duhej të mbahet takimi. “Sipas të gjitha gjasave në qendrën klinike sepse veprimet e Ivanovit bënë që kryetarët e partive të marrin lëndime serioze trupore”, duke treguar fashat me të cilat kishin lidhur plagët një pjesë e deputetwve që qëndronin pas tij dhe duke theksuar se lideri i LR PDSH, Zijadin Sela ende është i shtrirë në spital.

Ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga Tetova ai ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe njëherësh ka kërkuar që problemi intra etnik politik të mos shndërrohet në problem ndër etnik.

“Me këtë rast apeloj tek të gjithë qytetarët në RM që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, përpara Parlamentit të Republikës së Maqedonisë situata duket se është e qetë ndërkohë që në derën kryesore hyrëse të Parlamentit vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra protestues të cilët mbrëmë kanë ngritur tenda.

Ndërkohë që rreth godinës së parlamentit ku janë vendosur barrikada metalike për të bllokuar qarkullimin e qytetarëve vërehet prania e përforcuar e forcave speciale të policisë të cilët kanë mbërritur nga shumë qytete të Maqedonisë.

Shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se protestuesit të cilët dje kanë hyrë në këtë institucion kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa pjesë të kësaj godine përderisa një pjesë e hapësirave për punë, qendra për konferencë për shtyp, por edhe salla “Maqedonia” janë jashtë përdorimit.

Nga ky institucion njoftojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të kthyer në gjendje normaliteti këtë institucion.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Shkup Uranija Pirovska, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pjesë e inskenimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë janë dhe forcat policore të cilat kanë lejuar hyrje të papenguar të protestuesve në Kuvend.

Piroska thotë se madje personat e maskuar janë orientuar nga policia se në cilën pjesë kanë qenë të vendosur deputetët të cilët më pas i kanë sulmuar fizikisht persona të maskuar.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme qindra protestues në organizim të iniciativës për ‘Maqedoni të përbashkët’, kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar deputetët e shumicës së re parlamentare pasi ata paraprakisht në një situatë të tensionuar zgjodhën kryetarin e ri këtij institucioni ligjvënës.

LSDM fajëson Gruevskin për orkestrim të dhunës në Maqedoni

Proceset demokratike në Maqedoni do të vazhdojnë pavarësisht dhunës së shfrenuar ndaj përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend nga Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë rreth tij, thuhet në reagimin e LSDM-së, partisë së Zoran Zaevit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat