LSDM: Shumica parlamentare do ta plotësojë obligimin ndaj qytetarëve

Maqedonia

LSDM: Shumica parlamentare do ta plotësojë obligimin ndaj qytetarëve

Më: 1 maj 2017 Në ora: 13:09
Selia e LSDM

LSDM sot kumtoi se kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi është zgjedhur prej shumicës parlamentare përmes rrugës ligjore dhe legjitime në pajtim me Rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën dhe e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Vullneti i shumicës i mbi 700.000 qytetarëve që u shpreh në zgjedhje kredibile, theksojnë nga partia, filloi të realizohet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, ndërsa do të vazhdojë me formimin e Qeverisë së re reformuese, gjithashtu sipas Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve. Nga partia porosisin se askush nuk guxon të mendojë ta bllokojë punën e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, që, siç theksojnë, është vepër e rëndë penale kundërkushtetuese, e ndëshkueshme me ligj.

“Ajo që për të pestin muaj me radhë për shkak të bllokadave të VMRO-DPMNE-së nuk mund të formohet Qeveri e re, reflektohet në mënyrë të dëmshme ndaj stabilitetit të shtetit, por edhe ndaj interesave të qytetarëve. Sikur të kishte sot Qeveri të re, këtë 1 maj të gjithë punëtorët do të kishin pagë minimale prej 12.000 denarë. Ky është vetëm një shembull që e humbin qytetarët për shkak të interesave të një grupi të vogël në krye me Nikolla Gruevskin, i cili po përpiqet me dhunë ta parandalojë transferimin e pushtetit”, theksojnë nga LSDM.

Mu për atë që nuk kishte mbrojtje institucionale, theksojnë nga partia, janë dërguar vrasës dhe kriminelë të rëndë, për pak të do linçonin përfaqësues të zgjedhur prej qytetarëve, gazetarë, të punësuar në Kuvend. Sipas partisë, me këtë është bërë vepër penale Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë, sipas nenit 313 të Kodit penal dhe PP dhe MPB duhet ta sigurojnë drejtësinë, ndërsa porositësit dhe autorët të marrin përgjegjësi.

“Me sjellje të matur, shumica parlamentare e ndaloi tentimin e Nikolla Gruevskit, Gjorge Ivanovit, Trajko Veljanoskit, Mitko Çavkovit, që të shkaktojnë përleshje ndërqytetare, ndëretnike, grusht shtet dhe krijimin e bazës që Ivanov të shpall gjendje lufte. Vazhdojmë t’i udhëheqim proceset, me qetësi dhe maturi. Njëherësh për qetësi ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve. Shumica parlamentare do ta plotësojë obligimin e tij ndaj qytetarëve deri në fund”, qëndron në kumtesën e LSDM-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat