Talat Xhaferi: Shqiptarët janë të denjë për poste udhëheqëse në Maqedoni

Maqedonia

Talat Xhaferi: Shqiptarët janë të denjë për poste udhëheqëse në Maqedoni

Më: 3 maj 2017 Në ora: 18:29
Kryeparlamentari i ri i Maqedonisë, Talat Xhaferi

Kryeparlamentari i ri i Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili sot zyrtarisht ka filluar punën, ka thënë se po i përmbush të gjitha obligimet e tij në postin që është zgjedhur.

Xhaferi ka pohuar se do ta marrë mandatin e tij brenda afateve kohore kushtetuese.

“Brenda afatit kushtetues prej 10 ditëve Presidenti Ivanov duhet ta bëjë dhënien e mandatit për kryeparlamentarin e ri”, ka thënë ai gjatë një interviste telefonike në Info Magazine.

Është shprehur optimist se me zgjedhjen e tij në këtë post të gjitha çështjet do të mund të gjejnë  zgjidhje.

Sipas Xhaferit, shqiptarët në Maqedoni mund të udhëheqin me institucionet kryesore të vendit.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen shqiptarët të jenë bartës edhe të posteve të tjera të rëndësishme, përfshirë edhe atë të kryeministrit.

“Shqiptarët në Maqedoni vërtetojnë që janë të denjë që mund të udhëheqin me institucionet dhe kanë kualitetin e duhur për të qenë në bashkëveprim me institucionet e Maqedonisë”.

“Për president, është më pak e mundur, mirëpo për çështjet tjera gjithçka është e mundur.

“Një ditë pse jo edhe të mund të ketë ndryshim të bartjes së posteve, përfshirë edhe postin e kryeministrit”.

Xhaferi nuk ka dashur të komentojë deklaratën e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, se “me serbët jemi vëllezër dhe kishat në Kosovë janë zemra e Serbisë”.

“Nuk kam pasur mundësi të dëgjoj deklaratën e Zaev, nuk mund ta komentoj pasi për shkak të aktiviteteve nuk kam gjetur mundësi që ta përcjell, prandaj nuk do të ishte korrekte të flas”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat