Prokuroria pa përgjigje për deputetët që hapën dyert e Kuvendit të Maqedonisë

Maqedonia

Prokuroria pa përgjigje për deputetët që hapën dyert e Kuvendit të Maqedonisë

Më: 5 maj 2017 Në ora: 16:45
Kuvendi, Maqedoni

Sekretari përgjithshëm i Kuvendit, Zharko Denkovski, për Alsat M ka konfirmuar se ftesat e Prokurorisë për dëgjimin e deputetëve të rrahur janë dërguar në institucionin ligjvënës. Përmes postës së rekomanduar të njëjtat do t’u arrijnë në adresën shtëpiake.

Prokuroria e Marko Zvërlevskit pritet t’i dëgjojë ata për incidentet në mbrëmjen e së enjtes dhe sulmin ndaj tyre ku edhe u rrahën nga një pjesë e protestuesve. Tani për tani nuk zbulohet se kur deputetët duhet të paraqiten për t’i shpjeguar ngjarjet e 27 prillit.

Nga zyra e Zvërlevskit thonë se të gjithë ata që kanë qenë cak i protestuesve të dhunshëm janë ftuar. Kjo do të thotë se në listë për dëgjim janë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deputetët Oliver Spasovski, Damjan Mançevski, Radmila Sheqerinska dhe më i lënduari prej tyre Zijadin Sela.

Lista është më e gjatë dhe deri më tani nuk zbulohet nëse janë ftuar edhe deputetë tjerë të cilët pas ngjarjeve njoftuan se janë sulmuar nëpër korridoret e Kuvendit.

Nga Prokuroria edhe sot me përgjigjen e njëjtë sikur para tre ditëve, nuk ka informacion nëse do të veprohet sipas kërkesës së policisë, që paraburgimi t’u shqiptohet edhe organizatorëve të protestave nga nisma “Për Maqedoni të Përbashkët”.

Nuk ka përgjigje edhe për atë nëse prokuroria e Zvërlevskit ka ndërmarrë ndonjë masë pasi MPB-ja njoftoi se është vërtetuar identiteti i personave që kanë hapur portat e Kuvendit, me qëllim që dhunuesit t’i rrahin deputetët dhe ta shkatërrojnë institucionin ligjvënës.

Në vazhdimësi po ndërmerren masa dhe po dëgjohen persona- përgjigjen nga Prokuroria Themelore Publike. Deri më tani Prokuroria ndjekë vetëm protestues të dhunshëm të cilët rrihnin deputetë. Të gjitha paraburgimet e shqiptuara janë me propozim të Marko Zvërlevskit.

Prokuroria ende nuk ka ngritur procedurë për përgjegjësi te personat zyrtar, policët dhe deputetët për të cilët MPB-ja ka dyshim të bazuar se kanë qenë pjesë e hyrjes së organizuar të dhunshme në Kuvend dhe sulmin ndaj deputetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat