Xhaferi: Kuvendi do të jetë maksimalisht bashkëpunues me qytetarët dhe median

Maqedonia

Xhaferi: Kuvendi do të jetë maksimalisht bashkëpunues me qytetarët dhe median

Më: 17 maj 2017 Në ora: 16:26
Takimi i Xhaferit me shefen e Misionit të OSBE-së ambasadoren Nina Suomalainen

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi sot realizoi takim me shefen e Misionit të OSBE-së ambasadoren Nina Suomalainen. Në takim, siç njoftoi pres-shërbimi i Kuvendit, ambasadorja Suomalainen ia ka uruar zgjedhjen Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shprehur bindje për bashkëpunim të mëtejshëm të frytshëm.

Duke theksuar se Misioni i OSBE-së është i pranishëm në Maqedoni nga viti 1992, ambasadorja Suomalainen ka theksuar se krahas prioriteteve kyçe të cilët dalin nga mandati i saj, Misioni me zgjuarsi i ndjek gjendjen politike dhe ndodhitë në vend. Ajo ka përkujtuar se më 27 prill kryesuesi dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së fuqimisht e kanë dënuar sulmin në parlament, ndërsa ditën e ardhshme ka pasuar edhe deklarata e përbashkët e shefave të Delegacionit të BE-së, Ambasadës Amerikane, Misionit të OSBE-së dhe Zyrës për Lidhje të NATO-s në Shkup lidhur me incidentet.

Kryetari i Kuvendit ka shprehur falënderim për mbështetjen e Misionit të OSBE-së në zhvillimin e proceseve demokratike në vend. Duke theksuar se ngjarjet e pakëndshme nga 27 prilli nuk do guxojnë të përsëriten në të ardhmen, Xhaferi ka vlerësuar se ekspertiza e OSBE-së do të ishte tejet e dobishme në transmetimin e praktikave më të mira lidhur me vendosjen e sigurimit të brendshëm të parlamenteve.

Xhaferi e ka përsëritur bindjen e tij se Kuvendi duhet të jetë maksimalisht i hapur dhe kooperativ me qytetarët, me sektorin joqeveritar dhe me mediat.

Bashkëbiseduesit kanë këmbyer mendime edhe për aktivitetet e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, para së gjithash për zgjedhjen e qeverisë së re, formimin e komisioneve kuvendore, delegacionet dhe grupet e deputetëve për bashkëpunim. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, Xhaferi e ka informuar ambasadoren e OSBE-së për koordinimin e mbajtur me liderët e partive politike, në të cilin është dakorduar që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e parë të tetorit, si dhe për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kuvendi deri në shpallje të zgjedhjeve.

Të dy bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për rolin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në aktivitetet e të cilës Kuvendi i Maqedonisë rregullisht merr pjesë dhe e kanë theksuar kontributin e tij vital në lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit interparlamentar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat