Suspendohen 16 policë lidhur me dhunën në Kuvend

Maqedonia

Suspendohen 16 policë lidhur me dhunën në Kuvend

Më: 21 maj 2017 Në ora: 10:22
Gjatë dhunës në Kuvendin e Maqedonisë ishte lënduar edhe Zoran Zaev

Ministria e brendshme e Maqedonisë i ka suspenduar 16 oficerë të policisë për shkak të dështimit që ta parandalojnë depërtimin me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë të protestuesve nacionalistë.

Nga okupimi me dhunë i Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill, ku kishte edhe njerëz të maskuar, janë lënduar disa ligjvënës dhe gazetarë, përfshirë edhe liderin socialdemokrat, Zoran Zaev.

Pasi përfundimisht e mori mandatin nga presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili për një kohë të gjatë refuzoi ta bëjë këtë, zoti Zaev tash po përpiqet ta formojë qeverinë e re të Maqedonisë.

Sulmi në parlament u bë pas emërimit të deputetit shqiptar, Talat Xhaferi, për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë.

Në njoftimin e mbrëmshëm të Ministrisë së brendshme të Maqedonisë janë dhënë emrat e 11 oficerëve të policisë, katër pjesëtarëve të njësive speciale policore dhe i një zyrtari të ministrisë, që janë suspenduar për shkak se “në mënyrë pasive e kanë vëzhguar masën e cila ka hyrë dhe ka lëvizur lirisht brenda parlamentit...dhe nuk i ka ndihmuar oficerët e tjerë të policisë”.

Njëherësh, ka filluar procedura disiplinore kundër këtyre policëve të supsenduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat