Qeveria e re në Maqedoni, diskutohen detajet e programit qeveritar

Maqedonia

Qeveria e re në Maqedoni, diskutohen detajet e programit qeveritar

Më: 21 maj 2017 Në ora: 16:10
Qeveria e Maqedonise

Grupet e punës të partive politike, të paktën zyrtarisht, nuk janë takuar gjatë ditës për diskutuar për modalitetet e bashkëpunimit në pushtetin e ri.

Megjithatë siç mësohet se komunikimi mes tyre vazhdon kurse programi qeveritar i LSDM-së është baza mbi të cilën diskutohet dhe ku janë rishikuar disa detaje të caktuara të cilat kanë qenë pikë interesi e partive shqiptare. Për të hënën, pritet një takim tjetër mes dy krerëve Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti ku flitet se do të hapet edhe diskutimi për ndarjen e resorëve. Burime të Alsat M informojnë se LSDM-ja brenda partisë tashmë e ka vendosur çështjen e resorëve dhe emrave nga të cilat ata do të drejtohen.

Jozyrtarisht flitet se me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të udhëheqë Oliver Spasovski, me Ministrinë e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinskën, me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, Frosina Remenski, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale Ljupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë, etj.

Alsat mëson gjithashtu se BDI do të ketë numër të njëjtë të resorëve si në qeverisjes e kaluar. Megjithatë brenda partisë së Ahmetit akoma nuk është sjellë vendim përfundimtar për emrat e mundshëm në krye të dikastereve përkatëse.  Siç mëson Alsat M emrat të cilët sillen rreth karrigeve të këtyre posteve janë Artan Grubi, Teuta Arifi dhe Izet Mexhiti. Ndërkohë mësohet se LR PDSH-së i është garantuar pozita e një zëvendëskryeministrie, një ministrie dhe një zëvendës ministrie.

Siç mësohet, kësaj radhe shqiptarët kanë hequr dorë nga Ministria e Arsimit duke kërkuar kështu dikasterin e Shëndetësisë. Burimet shpjegojnë se Lëvizja Besa akoma nuk e ka sjell vendim të prerë nëse do të jetë pjesë e Qeverisë së re ose jo. Pavendosshmëria e Besës, siç mëson jozyrtarisht Alsat, vjen si pasojë e disa arsyeve më të theksuara edhe për shkak të numrit të madh të posteve që kërkojnë, qëllimi për të mos lëkundet trupi votues para zgjedhjeve lokale dhe shkaku i hetimeve ndaj subjekteve të cilat dyshohet se janë të financuara nga Turqia.

Pasi partitë të arrijnë marrëveshje, mandatari e dorëzon në Kuvend programin e Qeverisë dhe propozimin për përbërjen e kabinetit Qeveritarë. Ligjvënësi ka fat 3 ditorë për ta vendosur në rend dite votimin e Qeverisë së re e cila merr dritën jeshile me shumicë të thjeshtë.

Derisa shumica e re parlamentare punon drejtë finalizimit të bisedimeve dhe krijimin e Qeverisë së re, përfaqësuesja e lartë për politikë ta jashtme dhe siguri e BE-së Frederika Mogerini, më 24 maj në darkë jo formale në Bruksel ka ftuar kryeministrat e gjashtë shteteve Ballkanike, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës dhe Serbisë. Nëse Maqedonia në Bruksel do të përfaqësohet nga Emil Dimitriev apo Zoran Zaev, kjo varet nga dinamika e bisedimeve dhe votimi i Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat