Foreign Affairs: BE-ja dhe SHBA-të mund të shmangin më të keqen për Maqedoninë dhe rajonin

Maqedonia

Foreign Affairs: BE-ja dhe SHBA-të mund të shmangin më të keqen për Maqedoninë dhe rajonin

Më: 24 maj 2017 Në ora: 18:40
Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë

Revista prestigjoze amerikane ”Foreign Affairs” (FA) i ka kushtuar një analizë situatës politike në Maqedoni duke shtruar dilemën nëse nacionalistët maqedonas do ta sjellin vendin buzë greminës.

Revista në fjalë konsideron se në Maqedoni ka një polarizim të ashpër qëndrimesh dhe se figura më e fuqishme në vend, sipas të gjitha gjasave Gruevski, pengon procesin e hetimeve ndaj tij.

Për FA-në, Republikanët në SHBA nuk dinë se çfarë të bëjnë, ose i japin mbështetje të tërthortë liderit që është në rrezik. Revista e vazhdon analizën e saj me një përshkrim të situatës, duke filluar nga hetimet për Gruevskin, përgjimet e publikuara nga Zaevi e deri te Marrëveshja e Përzhinos.

Sipas FA-së, Gruevski dhe Ivanovi kundërshtojnë një qeverisje të LSDM-së me partitë shqiptare, duke e konsideruar si kërcënim për shtetin, por ai vetë e ka toleruar një gjë të tillë, sepse ka qenë në pushtet me partinë më të madhe shqiptare.

Për këtë revistë, kundërshtimi i Gruevskit vjen pas refuzimit të BDI-së për të bërë qeveri me të, duke theksuar se kriza nuk është zgjidhur me mandatimin e Zaevit, por ka hyrë në një fazë tjetër.

FA vlerëson se Gruevski dhe partia e tij do të bëjnë çmos që ta minojnë qeverinë e re dhe të shkohet në zgjedhje të reja, e gjithë kjo për t’i ikur burgimit të tij.

Revista në fjalë përmend shtimin e interesimit të Rusisë për Maqedoninë, përmes deklaratave mbështetëse për Nikolla Gruevskin. Revista propozon që SHBA-të t’i bëjnë trysni Berlinit dhe Brukselit për sanksione ndaj atyre që shkaktojnë krizën në vend.

Për ”Foreign Affairs” vetëm kokat e vendosura në Washington, duke bashkëpunuar me homologët e tyre evropianë, mund të shmangin më të keqen në Maqedoni dhe rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat