Zaev së shpejti do ta bëjë publik vendimin për Qeverinë e re

Maqedonia

Zaev së shpejti do ta bëjë publik vendimin për Qeverinë e re

Më: 28 maj 2017 Në ora: 15:19
Zoran Zaev

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Zoran Zaev, të dielën ka bërë të ditur se vendimi për Qeverinë e re është marrë dhe se atë shumë shpejt do ta bëjnë publik.

Zaev ka thënë se pas mbledhjes së Kryesisë qendrore të partisë që ai drejton, do të bëhen publik emrat, të cilët do të udhëheqim me dikasteret ministrore nga koalicioni i kryesuar nga socialdemokratët.

“Shpresoj që do t’i miratojmë vendimet më të mira për qytetarët e Maqedonisë, sot pas mbledhjes do të shpalosim propozim-përbërjen për tërë kabinetin qeveritar të Maqedonisë”, ka deklaruar Zaev.

Edhe kundrejt insistimit të gazetarëve ai nuk ka dashur t’i komentojë propozimet e Bashkimit Demokratik për Integrim, që do të udhëheqë me pesë ministri dhe një dikaster pa portofol.

Zaev ka ftuar Prokurorinë Speciale Publike për të treguar ndershmërinë e këtyre personaliteteve.

Ndërkaq, Lëvizja Besa e përfaqësuar me pesë deputetë, ka vendosur të veprojë si parti në opozitë, megjithëse nga kjo parti kanë thënë se pasi të shohin programin qeverisës të propozuar nga mandatari Zoran Zaev, do të vendosin nëse do ta mbështesin Ëeverinë e re të Maqedonisë.

Mos-hyrja në Qeveri, kanë konfirmuar zyrtarë nga Lëvizja Besa, ka të bëjë me mosmarrjen e garancive me shkrim nga ana e mandatarit për realizimin e kushteve të parashtruara nga kjo parti për ridefinimin e shtetit, përfshirjen e platformës së partive politike në programin e Qeverisë së Maqedonisë si dhe në kabinetin e ri qeveritar të mos ketë persona, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në vepra kriminale.

Situatën më të qartë e ka Bashkimi Demokratik për Integrim me dhjetë deputetë të siguruar në zgjedhjet e fundit. Partia e Ali Ahmetit, e cila kishte bashkëqeverisur për më shumë se një dekadë me VMRO DPMNE-në e ish kryeministrit Nikolla Gruevski edhe në Qeverinë e kryesuar nga Zoran Zaevi, do të drejtojë pesë ministri dhe një resor pa portofol.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ka shpalosur emrat që do të drejtojnë ministritë në Qeverinë e re të Maqedonisë.

“Kabineti i ardhshëm të përbëhet nga Hazbi Lika, zv.kryeministër për Marrëveshje të Ohrit, zv.kryeministër për Euro-integrime Bujar Osmani. Për ministër të Ambientit Sadulla Duraku, ministër i Drejtësisë - Bilent Saliu, ministër i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministër pa Resor Ramiz Merko. Për zv.ministra do të vendosim në mbledhjen e radhës”, ka bërë të ditur Ahmeti, duke shprehur bindjen e tij që Qeveria e re e Maqedonisë do të jetë një qeveri me një përfundim të mirë.

Përderisa nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, cila ka qenë nga figurat më të zëshme kundër vazhdimit të bashkëqeverisjes me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, nuk është gjendur në listën e emrave të ministrave që do jenë pjesë e qeverisë së re, ka thënë se angazhimi i saj politik do të vazhdojë në garën për të fituar edhe një mandat në Komunën e Tetovës.

Arifi ka theksuar se për të me rëndësi është se partia që përfaqëson, siç është shprehur, “është radhitur në vijën e duhur”.

“U realizua angazhimi parimor, i cili ishte më 29 janar që BDI-ja, si parti politike, të mos ishte në vendin e gabuar apo në një vend të gabuar. Bashkimi Demokratik për Integrim sot është në vendin ku duhet të jetë, në një Qeveri reformatore, ndërkohë që jam shumë e bindur se gjithë kjo do të ndihmojë dhe do të japë një impuls të ri për atë që dëshiroj unë, një Tetovë urbane po gjithsesi qytetet urbane në të gjithë vendin”, është shprehur Teuta Arifi.

Ndërkaq, sipas Ahmetit, dikasteri i Shëndetësisë dhe ai i Pushtetit Lokal, i takon Aleancës për Shqiptarët.

Nga kjo parti, gjithashtu, theksojnë se organet më të ngushta partiake do të vendosin për emrat konkret gjatë mbrëmjes të së dielës./rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat