Përbërja e ministrave të LSDM-së, kuadër i dëshmuar profesionalisht

Maqedonia

Përbërja e ministrave të LSDM-së, kuadër i dëshmuar profesionalisht

Më: 29 maj 2017 Në ora: 21:07
LSDM

Radmilla Sheqerinska, Oliver Spasovski, Damjan Mançevski, Ljupço Nikollovski janë ekipi i deritanishëm i ngushtë i kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, që do të jenë pjesë edhe e kabinetit qeveritar. Por mes tyre janë edhe emra që vijnë nga universitetet siç janë profesori dhe eksperti për financa, Dragan Tevdovski, Renata Deskovska, që njëherit ishte edhe deputete. Listës së ministrave nuk i mungojnë edhe biznesmenë siç është Koço Angjushev si dhe Milla Carevska, aktiviste disavjeçare e shoqërisë civile. Por cilat janë biografitë e 17 ministrave të propozuar nga LSDM dhe partnerët e saj të koalicionit që garuan bashkërisht në zgjedhjet e fundit.

Radmilla Sheqerinska, një socialdemokrate me karrierë politike që do të jetë në postin e ministres së mbrojtjes, e cila ka ushtruar mandate të deputetes dhe të ministres gjatë qeverisjeve të LSDM nga pavarësimi i vendit. Ajo njihej më parë me rezultatet e arritur në planin e eurointegrimeve në kohën që ushtroi postin e zëvendëskryeministres për eurointegrime, kur Maqedonia hyri në fazën e parë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim me BE-në, njofton TV 21.

Oliver Spasovski, sekretari i përgjithshëm i LSDM i njohur si ministër i MPB-së gjatë qeverisjes kalimtare teknike që organizoi zgjedhjet e fundit, rikthehet në këtë detyrë. Ai njihet më parë edhe si deputetë. Në krye të diplomacisë vjen Nikolla Dimitrov, që ka një karrierë të pasur në diplomaci. Ai ka qenë më parë zëvendës ministër i Punëve të jashtme. Ambasador i Maqedonisë në SHBA dhe më pas në Holandë. Dragan Tevdovski profesor dhe ekspert i financave do të udhëheq me ministrinë e financave. Në vitin 2016 e merr çmimin si shkencëtari më i mirë në Universitetin Kirili dhe Metodi në shkencat shoqërore.Ka qenë student me notë mesatare maksimale. Në krye të Ministrisë së Arsimit vjen Renata Deskoska. Deskoska është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Juridik në Shkup. Ajo ka botuar një numër të madh të librave dhe punimeve në revista të vendit dhe ato ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në shumë konferenca, seminare, dhe punëtori. Me ministrinë e transportit dhe lidhjeve do të udhëheqë, Goran Sugarevski. Edhe pse ai ishte koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së nuk u gjind në listën zgjedhore mirëpo Zaev paraprakisht e ka planifikuar për këtë post. Sugareski njihet si deputeti më i zëshëm në Kuvend dhe rekorder për dorëzimin e numrit të amendamenteve. Lubço Nikollovski i cili ishte zv/ministër shtesë në Ministrinë e Bujqësisë i rikthehet kësaj ministrie, në postin e ministrit. Ishte sekretar i përgjithshëm i LSDM-së, ish-deputet dhe avokat. Damjan Mançevski për ministër të administratës dhe shoqërisë informatike. Mançevski ishte nënkryetar i LSDM-së, deputet, shef i shtabit zgjedhor, anëtar në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Ka punuar si inxhinier në Agjencinë për komunikime elektronike. Me ministrinë për punë dhe politikë sociale do të udhëheq, Milla Carovska. Carovska është kryetare e komisionit për punë dhe politikë sociale të LSDM-së. Ajo është aktiviste shumëvjeçare në sektorin civil. Robert AllagjOzovski do të udhëheq me ministrinë e Kulturës. Allagjazovski është autor i antologjisë së teksteve artistike dhe jo artistike i më shumë se 150 kritikave, eseve, artikujve dhe shumë studimeve në sferën e filmit, literaturës dhe teatrit.

Për zv/kryeministër për çështje ekonomike është propozuar nga Oda ekonomike e Maqedonisë, Koço Angjushev, i cili është nënkryetar i kësaj ode. Ai është biznesmen i suksesshëm, themelues dhe drejtor ekzekutiv i shumë kompanive . Gjithashtu është profesor i rregullt në fakultetin e Makinerisë në Shkup.

Si ministra pa portofol nga radhët e LSDM-së janë propozuar : Edmond Ademi, Robert Popovski, Samka Ibrahimovsi, Zoran Shapuriq,Zorica Apostolovska dhe Adnan Qahili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat