Bejta, artistëve: Jeni pasqyrë e kombit

Maqedonia

Bejta, artistëve: Jeni pasqyrë e kombit

Më: 6 qershor 2017 Në ora: 18:39
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në kabinetin e tij një delegacion të Shoqërisë Kulturore Artistike “Jahi Hasani”, e cila sapo është kthyer nga një tur i suksesshëm aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare.

Duke iu drejtuar trupës së artistëve, kryetari Bejta u shpreh që roli dhe misioni që ata kanë është fisnik, human dhe, mbi të gjitha, në mbrojtje të interesit kombëtar.

“Çdo pjesëmarrje juaja në evenimente të ndryshme kulturore brenda dhe jashtë shtetit, prezanton kulturën, ritet, doket dhe zakonet e bukura kombëtare. Faleminderit që jeni pasqyra e kombit,” tha Bejta.

Kryetari i Shoqërisë, Zani Memedi vuri në dukje që Shoqëria Kulturore Artistike e fshatit Çagran “Jahi Hasani” kohëve të fundit pati paraqitje dinjitoze në festivalin ndërkombëtar të “Balikeserit”, në Republikën e Turqisë, në festivalin mbarëkombëtar “The Door – 2017”, në Shkodër të Shqipërisë, si dhe në festivalin mbarëkombëtar “Shkupi Folk – Fest 2017”.

Kryetari, Nevzat Bejta përgëzoi kryesinë dhe anëtarët e Shoqërisë për rezultatet e arritura, duke theksuar se do të vazhdonte të mbështeste aktivitetin e saj.

“Komuna e Gostivarit ka mbështetur financiarisht Shoqërinë tuaj Kulturore Artistike dhe do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen,” theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat