BE-ja shtyn përpara reformat në Maqedoni

Maqedonia

BE-ja shtyn përpara reformat në Maqedoni

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se paralajmërimi për ardhjen e ekspertit gjerman Reinhard Priebe bashkë me një grup ekspertësh të Komisionit Evropian, duhet parë si angazhim serioz të Brukselit për t'i dhënë shtytje reformave në sistemin e drejtësisë.

Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, përmes faqes zyrtare të Komisionit Evropian, bën të ditur se Priebe i shoqëruar nga një grup ekspertësh së shpejti do të qëndrojë në Maqedoni për të detektuar mangësitë në zbatimin e reformave të cilat u apostrofuan në raportin e hartuar nga Priebe para dy vitesh.

“Si pjesë e gatishmërisë së Bashkimit Evropian për punë dhe përkrahje të Qeverisë së re në rrugën për reforma, unë sërish do të dërgojë një grup prej ekspertëve ligjorë të udhëhequr nga Reinhard Priebe, drejtor i Komisionit, që ta ndihmojnë dhe këshillojnë Qeverinë e re për sistemim të sundimit të ligjit”, theksohet në njoftimin e komisionarit Johannes Hahn.

Ky grup do të përfshijë të njëjtët ekspertë të cilët si ekip përgatitën rekomandimet në lidhje me përgjimet e publikuara në vitin 2015, të cilat kërkesa u inkorporuan edhe në marrëveshjen mes partive politike të njohur si Marrëveshja e Përzhinës.

Besa Kadriu nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë konsideron se në Maqedoni në vazhdimësi ka munguar vullneti politik nga ana e institucioneve shtetërore për të jetësuar në praktikë detyrimet që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit të drejtësisë në Maqedoni.

“Përpos ndikimit të skajshëm të politikës ditore dhe mungesës së vullnetit politik, s’do mend se këtu kemi të bëjmë edhe me hezitimin për të vendosur kuadro profesionale të cilët do t'i prijnë procesit të realizmit të reformave thelbësore në sistemin e drejtësisë".

"Ndjekja e porosive që vijnë nga faktori ndërkombëtar, ka të bëjë me hapjen e rrugës së Prokurorisë Speciale Publike që të mund t'i zbardh të gjitha ato procese të cilat do të lënë përshtypjen se vendi është i gatshëm që të ballafaqohet me proceset që i hapin rrugën krijimit të kushteve për një të ardhme më të mirë, një shteti më stabil, por edhe funksionimit normal të institucioneve", thekson Besa Kadriu.

Ndërkaq, Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci, ardhjen e ekspertëve juridik nga Brukseli e sheh si mundësi që t'i jepet një shtytje realizimit të reformave.

“Grupi i ekspertëve do të duhet të shoh se kush qëndron në anën tjetër, përkatësisht cili është kapaciteti me të cilin disponon Qeveria e re e Maqedonisë për të realizuar reformat e kërkuara dhe njëherësh në cilin afat kohor do të mund të realizohen këto reforma”, nënvizon Popoviq.

Ndryshe, raporti i ekspertit gjerman Pribe, u publikua dy vite më parë, përkatësisht më 8 qershor të vitit 2015, pasi ai bashkë me një grup ekspertësh, qëndruan për disa ditë në Maqedoni për të detektuar problemet rreth sundimit të drejtësisë.

Në raportin e ekspertëve juridik të Bashkimit Evropian, si më problematike për aferën e përgjimeve u fokusua puna e Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit.

Ndërkohë që në raport u identifikuan problemet e shumta në sistemin gjyqësor dhe media./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat