Maqedoni, administrata publike nën ethet e ndryshimeve

Maqedonia

Maqedoni, administrata publike nën ethet e ndryshimeve

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 21:27
Ilustrim

Njohësit e çështjeve politike thonë se Qeveria e re e Maqedonisë ndodhet përpara një sfide të madhe, asaj të de-politizimit të administratës publike.

De-politizimi i administratës është një nga shtyllat kryesore që janë apostrofuar si kërkesa nga Brukseli në rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Borce Davitkoski, ligjërues në Fakultetin Juridik në Shkup, tha për Radion Evropa e Lirë se me çdo ndryshim të pushtetit, rreth 5 mijë funksionarë të cilët janë në pozita strukturore, siç janë drejtuesit e klinikave, drejtuesit e institucioneve kulturore, ata të ndërmarrjeve publike deri tek drejtorët e shkollave, caktohen në bazë të përkatësive partiake.

Davitkoski, thotë se duhet t’i jepet fund praktikës që me ndërrimin e pushtetit të ndërrohen të gjithë, nga kryeministri deri tek punonjësit e higjienës.

Kjo Qeveri, sipas tij, gjendet para sfidës së madhe që të ndërpres praktikën nga e kaluara dhe ta çliroj administratën nga influenca politike.

Ndërkaq, Ardita Abazi Imeri, nga Instituti për Politika Evropiane, thotë se politizimi iadministratës ka bërë që në vazhdimësi të shënojë ulje cilësia e shërbimeve nga ana e punonjësve në administratë.

Imeri thotë se duhet filluar me ndërprerjen e revanshizmit politik.

Përderisa, Marko Toshanovski nga Instituti për Demokraci, konsideron se depolitizomi i administratës publike paraqet udhërrëfyes se sa afër apo larg është Maqedonia sa i përket të qenit pjesë e familjes evropiane.

Në bazë të të dhënave të raportit vjetor të publikuara në fillim të këtij viti nga Ministria e Shoqërisë Informatike, administrata shtetërore numëron 129 mijë të punësuar, por analizat e sektorit civil kanë nxjerrë në pah se ky numër është shumë më i lartë, madje duke arritur mbi 184 mijë, përfshirë këtu dhe të angazhuarit me kontratë në vepër.

Administrata publike llogaritet si më e mbingarkuara nga vendet e rajonit. Kryeministri i ri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka qetësuar punonjësit e administratës publike duke thënë se pavarësisht se si janë punësuar, ata që kryejini me nder punën, nuk do të dëbohen nga puna.

Ministri i ri i Shoqërisë Informative, Damjan Mancevski, ka bërë të ditur se mbi 1 mijë e 600 të punësuar në bazë të marrëveshjes së Ohrit, marrin pagë, por qëndrojnë në shtëpi. Për këta persona, ai ëshët zotuar se brenda një afati sa më të shkurtër kohor, do të sistemohen në vende pune në dikasteret përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat