Politikanët në Maqedoni urojnë festën e Fitër Bajramit

Maqedonia

Politikanët në Maqedoni urojnë festën e Fitër Bajramit

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 21:04
Ilustrim

Kryetarë të partive politike, ministra, kryetari i shteti dhe funksionarë tjerë në Maqedoni me rastin e festës së Fitër Bajramit, kanë uruar gjithë besimtarët e besimit islam në vend.

Mesazhi kryesor i tyre është që të mbretërojë harmoni, paqa dhe dashuria mes njerëzve.

Bilall Kasami:

“Pas një muaj agjërimi, me përkushtim e devotshmëri, sot po dalim në ditën e Bajramit të Madh, duke shpresuar se krejt përpjekjet e adhurimet tona të jenë pranuar dhe ky Ramazan të ketë qenë një shteg drejt kalitjes për sfidat që na presin në rrugëtimin tonë. Me këtë rast të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë madhështore, duke u lutur që këto ditë Bajrami t’i kaloni në gjirin tuaj familjar në harmoni e lumturi. Paçi Bajram të mbarë dhe të lumtur! Urime për shumë mote Fitër Bajrami!”.

Menduh Thaçi:

“Uroj që sakrifica e agjërimit dhe ibadetet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit të kthehen në mirësi, paqe e begati në shtëpitë dhe familjet tuaja. Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të gjithë besimtarëve të fesë islame ua uroj festën e Fitër Bajramit duke ju dëshiruar shëndet të plotë, mirëqenie dhe mbarësi”.

Gjorge Ivanov:

“Më lejoni juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, muftinjve, imamëve dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në Republikën e Maqedonisë t’u uroj festën e Fitër – Bajramit”.

Radmilla Sheqerinska:

“Me lejoni që t’ua uroj festën e Ramazan – Bajramit dhe përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit. Kjo festë e shenjtë le të sjellë qetësi shpirtërore, durim, mirëkuptim dhe dashuri. Qëllimi ynë është që diversitetet të na bëjnë më të fuqishëm. Kjo është fuqia e Republikës së Maqedonisë. Festa na mundëson që ta përforcojmë respektin e ndërsjellë dhe me forca të përbashkëta të ndërtojmë armatë dhe Mbrojtje dinjitoze për të gjithë”.

Ali Ahmeti:

Të dashur besimtar, urime festën e madhe të Fitër Bajramit me dëshirat më të sinqerta për shëndet, urtësi, mirëqenie dhe harmoni në familjet tuaja.Ditët e mira si kjo vijnë pas një përkushtimi dhe sakrificash. Pas një periudhe krizash të një pas njëshme, dhe përkushtimit tonë të palëkundur për vlerat demokratike dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik, Ju uroj ditë dhe vite të progresit dhe mbarësisë. Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për shoqërinë”.

Talat Xhaferi:

“Më lejoni në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Bashkësisë Islame dhe te gjithë besimtareve myslimanë t’ua përcjell urimet më të përzemërta për Festën e Fitër Bajramit. Shpresoj që gjatë këtij muaji të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar agjërimi, lutjet dhe sakrificat dhe kjo të shërbejë si urë lidhëse për transmetimin e vlerave njerëzore dhe morale tek brezat e rinj. Uroj që kjo ditë e bekuar e Bajramit të na gjejë të bashkuar në harmoni, paqe dhe mirëkuptim me njëri -tjetrin dhe të na bëjë ta shohim botën me sytë e më të dobëtëve dhe të varfërve. Paçi gjithmonë lumturi dhe paqe në shtëpitë dhe në zemrat Tuaja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat