“Luftë” mes BDI dhe Aleancës për Shqiptarët për drejtori?!

Maqedonia

“Luftë” mes BDI dhe Aleancës për Shqiptarët për drejtori?!

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 15:10
Ziadin Sela

Derisa LSDM po emëron drejtorët e saj nëpër disa drejtori, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë mosmarrëveshje rreth ndarjes së kulaçit qeveritar dhe se ende nuk janë definuar gjërat me LSDM.

Aleanca, gjegjësisht LR-PDSH siç mësohet  kanë apetite për disa drejtori të mëdha si ajo e Postës apo e Doganave, por dhe Policia financiare që për herë të parë do ta udhëheqin shqiptarët.  Gjatë fundjavës siç meson INA ka pasur bisedime mes partive të koalicionit për finalizimin e emrave që do të udhëheqin me drejtoritë.

Mes subjekteve shqiptare raporti do të jetë 60 % për BDI-në dhe 40 % për ASH, gjegjësisht do jenë afërsisht 25 drejtori të rëndësishme, shumica në nivel qendror që do të ndahen mes dy subjekteve shqiptare. Me interes do të jetë Drejtoria e Postave të Maqedonisë, të cilin e synon ASH dhe Drejtoria e Doganave që synohet nga BDI, e cila për herë të parë do t’u takojë shqiptarëve si dhe ajo e hekurudhave, drejtoria e rrugëve, drejtoria për menaxhimin e objekteve hotelierike dhe lokaleve afariste, e rezervave të naftës, drejtoria e Fondit shëndetësor dhe ajo e Fondit pensional, Pyjet e Maqedonisë dhe disa drejtori të tjera. Jo pa interes do të jenë edhe pozicionet e zëvendësdrejtorëve në DSK, OJP, BSP dhe ELEM, por dhe pozicionet për anëtarë të Bordeve të ndërmarrjeve të publike apo dhe të Telekomit të Maqedonisë dhe Aeroportit. Sipas gazetës Koha, as sekretarët shtetërorë nuk janë kompletuar në Qeveri, përveç në MPB, por se janë ministrat që do t’i emërojnë ato emra për të cilat marren vesh partitë. Nga BDI, ndonëse jo zyrtarisht, tashmë përmenden këta emra: Faton Ameti – Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Nevrus Çeliku te Ministria e  Bujqësisë, Valmir Aziri te Ministria e Kulturës dhe Jahi Jahiu – Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë Publike. Nga ASH dihet vetëm që nënkryetari i UNITETIT, Zylfi Adili është caktuar sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat