Gruevski shpëton nga paraburgimi, gjykata i merr pasaportën

Maqedonia

Gruevski shpëton nga paraburgimi, gjykata i merr pasaportën

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 12:11
Nikolla Gruevski

Gjykata Penale në Shkup e shpëtoi ish-kryeministrin Nikolla Gruevski nga paraburgimi.

Ajo refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe vendosi një dënim shumë më të butë, duke i marrë pasaportën.

E njëjta masë u mor edhe për ish-ministrat Gordana Jankuloska dhe Mile Janakieski, si dhe ish-sekretarët e përgjithshëm të qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe Martin Protugjer, që do  të mbeten gjithashtu pa dokument udhëtimi.  

Në njoftimin e Gjykatës sqarohet se një pjesë e të akuzuarve u është sekustruar pasaporta diplomatike dhe ndalon që atyre t’u jepet pasaportë tjetër. Pa pasaporta do të mbeten edhe 16 të pandehurit e tjerë të asaj që njihet si çështja “Titanik”. 

Prokuroria Speciale deklaroi se do ta apelojë vendimin. Ajo  njoftoi të enjten ngritjen e 17 aktakuzave ndaj 94 personave fizikë dhe 7 juridikë e kërkoi arrestimin e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij për organizimin dhe pjesëmarrjen në mashtrime elektorale.   

Materiali i saj buronte nga skandali i bisedave të përgjuara telefonike. Rastet kanë të bëjnë me financimin e paligjshëm të partive, për manipulime të pronave, dëmtime të pronave të të tjerëve, për shkatërrimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit, për nxitje dhune dhe një sërë akuzash të tjera.  

Gruevski ishte shprehur fill pas deklaratës së saj se aktpaditë paraqesnin përndjekje të kundërshtarëve politikë. 

Prokuroria Speciale u krijua si rezultat i Marrëveshjes së Perzhinës, e arritur verën e vitit 2015 ndërmjet katër partive më të mëdha politike me ndihmen e SHBA dhe BE.  

Qëllimi i themelimit të saj ishte dhënia fund e krizës dyvjeçare që kishte përfshirë vendin pas skandalit të përgjimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat