DioGuardi: Pas Gruevskit është Putini, sllavët kanë blerë politikanët shqiptarë

Maqedonia

DioGuardi: Pas Gruevskit është Putini, sllavët kanë blerë politikanët shqiptarë

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 23:57
Joe DioGuardi

Ish-Kongresmeni amerikan Joe DioGuardi në një deklaratë të tij në takimin me kongresmenin Donovan ka theksuar për INA se politikanët shqiptarë në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e Kosovë janë të korruptuar dhe se po bëhet luftë për largimin e tyre.

“Kemi liderë të politikës që janë të korruptuar dhe kanë kontroll. Ne po luftojmë për t’i larguar ata, në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Problemi është se kanë kapërcyer nga komunizmi, në korrupsion. Europa nuk merr përsipër zgjidhje për asgjë kur bëhet fjalë për shqiptarët. SHBA-së i duhet gjithmonë që të shkojë atje dhe të pastrojë rrëmujën. Mesazhi im është, që të mos presim derisa të krijohet ajo rrëmujë. Këtë thashë para zyrtarëve të Departamentit të Shtetit edhe në seancën dëgjimore në Kongres që u mbajt në maj të këtij viti. SHBA duhet të përfshihet. Duhet të jemi vigjilentë”, theksoi DioGuardi.

Ai ka thënë se për Maqedoninë në veçanti, duhet të sigurohemi që premtimi që është dhënë më shumë se 15 vjet më parë, mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Europian, i quajtur Marrëveshja e Ohrit, të mbahet.

“Sllavët janë shumë të zgjuar. Ata blenë liderët shqiptarë. Sllavët dinë se si t’i përdorin paratë; ata dinë se si të bashkëpunojnë mes tyre dhe dinë se si të përdorin patriotizmin në mënyrë të butë. Në Maqedoni kanë marrë tiparet e një shteti mafioz. Ata po mbështesin partitë dhe po pasurohen, ndërsa shqiptarët janë lënë pas dore. A po kërkojmë ne që shqiptarët në Maqedoni të kenë shtetin e tyre? Jo. A e duam ne këtë gjë? Kur nuk shërbehesh nga qeveria jote; kur ndaj popullit tënd ka kaq shumë padrejtësi; kur nuk ka punë për shqiptarët, njerëzit kërkojnë për zgjidhje. Kur nuk ke punë, ku është dinjiteti i njeriut”, ka theksuar DioGuardi.

Sipas tij, në Maqedoni, pas Gruevskit, qëndron Vladimir Putin. “Dhe Gruevski e ka thënë se nëse ndodh diçka, dhe kjo do të thotë që ata do të përpiqen që të ndodhë diçka, ata do të përpiqen që të duket sërish si një përplasje etnike, ashtu siç bënë para disa vitesh në Kosovë. Dhe këtu rusët do të ndërhyjnë. Putin po përpiqet dëshpërimisht që të shtrijë ndikimin rus në Europën Juglindore.”, – sqaroi zoti DioGuardi kongresmenin Donovan, pas një takimi që kishin me aktivistë të komunitetit shqiptar në Nju Jork.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat