Zaev – Babiq: Intensifikim i bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

Maqedonia

Zaev – Babiq: Intensifikim i bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 23:09
Zoran Zaev dhe Lepa Babiq

Vizita e delegacionit të lartë, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev të shtunën në Sarajevë do të jetë fillim i intensifikimit të bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, për çka sot kryetari i Qeverisë bisedoi me ambasadoren boshnjake në vend, Lepa Babiq.

“Është konstatuar se pas formimit të Qeverisë së re reformuese në Maqedoni janë krijuar kushte për thellim të bashkëpunimit në disa sfera, në interes të qytetarëve të të dy shteteve. Bëhet fjalë për memorandum për bashkëpunim që do të sjellin lehtësime për bujqit dhe në fushën e kulturës”, kumtoi shërbimi qeveritar për informim pas takimit të Zaevit me ambasadoren Babiq.

Në periudhën që paraprin janë shqyrtuar mundësitë për marrëveshje rreth njohjes së ndërsjellë të patent shoferëve, mundësim të qytetarëve të të dy vendeve të hyjnë në shtetet me letërnjoftime, bashkëpunim më i madh në fushën e arsimit përmes këmbimit të studentëve dhe profesorëve, thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes formimit të biznes-klubit. Nga të dyja anët seriozisht po shqyrtohet edhe mundësia për hapje të linjës ajrore në relacionin Shkup-Sarajevë.

Ambasadorja Babiq kumtoi se ekziston interesim i madh nga biznesmenë nga Bosnja e Hercegovina për të investuar në Maqedoni, të cilët, siç është cekur në kumtesë, në ndryshimet demokratike në Maqedoni dhe reformat e paralajmëruara të Qeverisë shohin kushte për investim në shtet.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe unë si kryeministër jemi seriozisht të përcaktuar drejt ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zhvillimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, sepse kjo do të kontribuojë drejt jetës cilësore të qytetarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, përmes bashkëpunimit të mirë, rajoni dërgon porosi se ekziston përkushtim dhe gatishmëri për realizim të obligimeve të nevojshme për integrimet euroatlantike, të cilat janë dhe e ardhmja jonë e përbashkët”, ka thënë kryeministri Zaev.

Bashkëbiseduesit janë dakorduar edhe se interesa strategjike për Republikën e Maqedonisë dhe për Bosnjë e Hercegovinën, si dhe për tërë rajonin janë integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat