Medalje për heroizmin e Benjaminit, djali që u flijua për të shpëtuar bashkëkombaset nga Shqipëria

Maqedonia

Medalje për heroizmin e Benjaminit, djali që u flijua për të shpëtuar bashkëkombaset nga Shqipëria

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 12:04
Djaloshi 24 vjeçar nga fshati Kamjan i Komunës së Bogovinës, sakrifikoi veten e tij për të shpëtuar një vajzë nga Shqipëria që po kërkonte ndihmë në ujerat e bregdetit shqiptar në Vlorë më 15

Heroizmi i Benjamin Feratit, djaloshit 24 vjeçar nga fshati Kamjan i Komunës së Bogovinës, i cili sakrifikoi veten e tij për të shpëtuar një vajzë nga Shqipëria që po kërkonte ndihmë në ujerat e bregdetit shqiptar në Vlorë më 15 korrik, është nderuar edhe nga institucionet e Shqipërisë.

Kësisoj të hënën, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, me një delegacion të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, ka qëndruar fillimisht në fshatin Kamjan në familjen e Benjamin Feratit. Bashkia e Vlorës atë e ka nderuar me mirënjohje, kurse Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” i ka ndarë medaljen për heroizëm.

Ky delegacion është pritur nga prindërit e Benjaminit, ndërsa ata kanë nënvizuar heroizmin e treguar të djalit të tyre dhe theksuan se akti i tij për të flijuar veten për të shpëtuar dy jetë njerëzish të tjerë, është një vepër e rrallë. Babai i Benjaminit, Fadili, ndonëse i emocionuar, është shprehur falënderues që djali i tij tashmë nderohet edhe nga institucionet e Shqipërisë.

“Historia gjithmonë ka treguar se ne kemi djem trima, jemi njerëz të një gjuhë dhe një gjaku dhe e ka treguar edhe historia që japin njerëz të mëdhenj. Kam nderin edhe njëherë që t`iu uroj fat dhe paçim më shumë njerëz si biri im”, tha Fadil Ferati, babai i Benjaminit.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, së bashku me delegacionin e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, ka qëndruar fillimisht në Komunën e Tetovës, ku është pritur nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Për mua është nder që të ndodhem këtu pranë sentimentit njerëzor të lidhur me territorin, aty ku ky djalë u rrit, u edukua dhe në fund e mbylli jetën larg nga këtu, në brigjet e Vlorës, për mua është një moment shumë prekës dhe në reflektimin e ndërgjegjes njerëzore dhe të humanizmit dhe të vlerësimit për ata që nuk janë, e ndjeva si detyrë të veçantë që sot të jem përballë qytetarëve të këtij vendi, përballë familjes së Benjaminit, për t’i dhënë titullin e mirënjohjes së qytetit të Vlorës me motivacionin që ky djalë dha jetën në lulen e rinisë për të shpëtuar jetët e dy vajzave. Për Vlorën dhe për shqiptarinë, ky akt i vetëmohimit do të mbetet një akt frymëzimi”, tha kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Zenepe Luka, kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, tha se me anë të një mirënjohje të firmosur nga 5 mijë gra intelektuale nga Shqipëria dhe vendet tjera, sensibilizoi aktin heroik të këtij djali tetovar, që bëri një gjest, për të shpëtuar një jetë njerëzore dha jetën e vet.

“Ky akt na ka mbushur me heroizëm, që me sakrificë dhe vetëmohim që në shoqërinë e sotme vërehet rrallë, që për të bërë një akt human, vjen momenti që të japësh edhe jetën. Vijmë në Tetovë me dhimbjen që iku një djalosh i ri, por edhe me krenarinë që ka nënë shqiptare që edukon djem të tillë. Jemi këtu për t’i thënë shqiptarisë dhe jo vetëm Tetovës, se ky djalë mbetet një hero i ditëve tona, mbetet një shembull frymëzimi edhe për gjeneratat tjera. Ne ndajmë një medaljon në emër të fondacionit të mbesës së Ismail Qemalit, që e japim shumë rrallë e ky djalë e meritoi”, tha Zenepe Luka, kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”.

Përndryshe, më 15 korrik, Benjamin Ferati, tetovari i cili kishte shkuar në pushime në bregdetin shqiptar me të fejuarën e tij, i është përgjigjur thirrjeve të një 25 vjeçare që kërkonte ndihmë.

I riu nga Tetova është nisur për ta ndihmuar, por është mbytur bashkë më të, si pasojë e detit të trazuar dhe dallgëve të mëdha. Ai tashmë në rrjetet sociale është cilësuar si një hero i vërtetë, pasi që nuk kishte kursyer jetën për të ndihmuar një 25 vjeçare që mbytej në det.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat