VMRO përsëri pengon debatin për shkarkimin e Zvërlevskit

Maqedonia

VMRO përsëri pengon debatin për shkarkimin e Zvërlevskit

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 13:37
Kuvendi i Maqedonisë

VMRO-DPMNE është bërë përsëri shkak për bllokimin e seancës ku në rend dite është përfundimi i debatit për shkarkimin e prokurorit shtetëror, Marko Zvërlevski. Deputetët e VMRO-së sa ka filluar seanca kanë kërkuar pauzë një orëshe.

Këtë herë, kërkesa për pauzë është që të shihet se kush e ka nënshkruar raportin për punën e Komisionit për Financim dhe Buxhet, i cila ka mbaruar me punë mbrëmë në mesnatë. Sipas, deputetëve nga opozita, raportin nuk e ka nënshkruar kryetarja e Komisionit, Liljana Kuzmanovska, por në vend të saj, dikush tjetër.

Mbrëmë, kryetarja e Komisionit, e përkrahur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, është fjalosur me anëtarët e shumicës parlamentare. Sipas shërbimeve kuvendore, Kuzmanovski është hidhëruar dhe ka shkuar, ndërkaq raportin e ditës së fundit të punës së Komisionit për Financim dhe Buxhet, për rebalancin, e ka lënë të panënshkruar.

Në vend të saj, sipas praktikës kuvendore deri më tani, raportin e ka nënshkruar shumica e natarëve të Komisionit.

Vazhdon debati kuvendor për shkarkimin e prokurorit Zvërleski

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë debatin për shkarkimin e Prokurorit publik, Marko Zvërleski, i cili u ndërpre para dhjetë ditëve për shkak të fillimit të debatit të komisionit për ribalancin e Buxhetit.

Shumica parlamentare dhe opozita kanë qëndrime të kundërta lidhur me punën e Zvërlevskit. Për të marrë fjalën për këtë pikë në rendin e ditës së seancës së gjashtë kuvendore janë paraqitur një numër i madh i deputetëve. Propozimi që Zvërlevski të shkarkohet nga funksioni i prokurorit publik është dorëzuar nga Qeveria e RM-së për çka, siç u theksua në shkresën dorëzuar Kuvendit, për kryerjen joligjore, jo në kohë dhe të pamjaftueshme profesionale të funksionit. Gjithashtu, në dokument thuhet edhe se Zvërleski me sjelljen dhe veprimin e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit si dhe për atë që nuk ka shtruar kërkesë për ngritjen e procedurës penale për raste të parapara me ligj dhe për prishjen e pasqyrës së funksionit.

Në rend dite të seancës së gjashtë janë edhe tridhjetë pika të tjera në mesin e së cilave ligje, raporte vjetore, propozim – vendime dhe të tjera.

Para fillimit të seancës së gjashtë kuvendore, Kuvendi duhet t’i përfundojë edhe dy pikat e tjera të seancës së pestë dhe të tetë. Deputetët në kuadër të seancës së pestë duhet ta shqyrtojnë edhe Raportin për punën e Agjencisë për administratën për vitin 2016. Nesër në seancën e tetë duhet të emërohen tre zëvendës të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat