Shpresa për zbardhjen e rastit “Monstra” është shkarkimi i këtij zyrtari të lartë në Maqedoni

Maqedonia

Shpresa për zbardhjen e rastit “Monstra” është shkarkimi i këtij zyrtari të lartë në Maqedoni

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 gusht 2017 Në ora: 20:00
Protesta kundër arrestimin të shqiptarëve në rasin "Monstra"

Afër tre vite më parë, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve në Smillkovcë të Shkupit, ndryshe ky rast është i njohur si “Monstra”, por vazhdimisht është aluduar se këta persona janë të pafajshëm. Lidhur me pafajësinë e tyre,  gazetari Zoran Bozhinovski ka shkruar në një postim në Facebook se shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm  për rastin Monstra janë të pafajshëm. Gjithashtu, ai ka përmendur edhe ish-kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, i cili është zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së.

“Më 12.09 do të organizohet mbledhje publike në Gjykatën Supreme për rastin Monstra, një tentim i ri për të shpëtuar Trajko Veljanovskin nga pesë dënime të përjetshme për përzierje në këtë rast monstruoz. Do të provoj të zbardh disa momente.

Për fillim pak gjeografi. Dëshmitari i fshehtë i rrejshëm I MVR- DPMNE, në bazë të gënjeshtrave të tij të rrejshme që u dënuan me burgim të përjetshëm persona që nuk kanë lidhje me këtë vrasje të pesëfishtë, në dëshmitë e tij vazhdimisht kishte theksuar se vrasja ka ndodhur në liqenin e Zhelezarës, ndërsa prokuroria vazhdimisht e kishte përmirësuar duke ia bërë me dije emërtimin gjeografik Liqeni Smilkovës”, ka shkruar Bozhinovski.

Ndërsa, ekspertët vlerësojnë se rasti “Monstra” është i montuar nga strukturat politiko-policore dhe se ky rast dhe montimet tjera mund të zbardhen vetëm me reformë. Kurse nga Qeveria e re  nuk presin edhe shumë pasi që duhet kohë deri sa të vihet drejtësia ne vend.

Neziri: "Monstra", konstruksion i strukturave politiko-policore

Njohësi i rrethanave politike, Xhelal Neziri ka thënë për “Bota sot se ka shumë indikacione se rasti "Monstra" është një konstruksion i strukturave politiko-policore, ku viktima janë qytetarë të etnisë shqiptare në Maqedoni.

“Monstra, por edhe raste tjera të montuara nga këto struktura, mund të rishikohen nga themeli vetëm me një gjyqësi të reformuar dhe institucione të departizuara”, ka thënë Neziri.

Image
Xhelal Neziri

Gjithashtu, ai ka thënë se ajo çfarë mund të bëjë Qeveria e re e Maqedonisë është që të bëhet ndërrimi i prokurorisë dhe të bëhen hetime për rastet e montuara.

“Qeveria e re shumë pak mund të bëjë në këtë drejtim shkaku i ndarjes së pushteteve ekzekutive dhe gjyqësore. Ajo që mund të bëhet nga kjo qeveri është ta ndërrojë prokurorin aktual me qëllim që të bëhen hetime të njëmendtë për rastet e montuara, kurse paralelisht të sjellë ndryshimin e ligjeve për dëshmitarët e mbrojtur dhe për fishkëllyesit. Kjo kërkon kohë, por e vërteta dhe drejtësia gjithsesi se do të vihen në vendin e vet”, ka thënë Neziri për “Bota sot” .

Iseni: Shkarkimi i Kryeprokurorit Zvërlevski sjellë shpresë për zbardhjen e rastit

Ndërsa, politologu, Xhenur Iseni ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev nuk ka treguar gatishmëri direkte për zbardhjen e këtyre rasteve.

Shpresa për zbardhjen e rastit "Monstra", sipas tij, është shkarkimi i Kryeprokurorit publik Marko Zvërlevski nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Qeveria e re në mënyrë direkte ende nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të zbardhur këtë rast. Por nga fakti që në rend dite në Parlament është shkarkimi i Kryeprokurorit Zvërlevski, kjo jep një fije shprese për viktimat e rastit "Monstra", ka thënë Iseni për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se tash është koha kur kryeministri duhet të reformojë gjyqësinë dhe të lirohen të pafajshmit.

Image
Xhenur Iseni

“Vet Kryeministri Zaev para zgjedhjeve pati deklaruar se shqiptarët e dënuar nga ky rast janë të pafajshëm, andaj tani që është Kryeministër duhet ta reformojë gjyqësinë dhe t’i lirojë nga burgu. Çdo gjë tjetër përpos lirimit nga burgu, do të ishte dështim i drejtësisë”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket deklaratës së Bozhinovskit, Iseni ka thënë se shpesh ka potencuar se funksionar të VMRO-së janë të përfshirë, por shpreson që do të hapen këto raste nga Prokuroria Speciale.

“Gazetari Bozhinovski shpesh ka potencuar se ka indikacione që funksionar të VMRO-se të jenë të involvuar,  dhe ku ta dish, ndoshta rasti "Monstra" shpejtë mund të ndryshon emër edhe atë në rastin "Trajko". Duke pasur parasysh se gjithë rastet që ka hapur PSP kanë filluar me shkronjën "T", uroj që edhe ky rast të nisë me këtë shkronje që drejtësia të vij në vend”, ka përfunduar Iseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat