Xhaferi: M.Ohrit duhet të vazhdojë, s’ka alternativa tjera

Maqedonia

Xhaferi: M.Ohrit duhet të vazhdojë, s’ka alternativa tjera

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 09:04
Talat Xhaferi

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi me rastin e 16 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, e cilësoi ate si dokument të rëndësishëm të paqes në shtetin tonë dhe të pajtimit mes qytetarëve të Maqedonisë i cili u përpilua dhe u nënshkrua me vullnetin politik dhe me lehtësimin nga ndërkombëtarët.

Ai shprehu falënderime për bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që akoma në mënyrë të pashtershme vazhdon t’ia japë Maqedonisë.

“Qëllimi i këtij dokumenti të paqes ishte dhe akoma është promovimi i shoqërisë paqësore dhe harmonike, si edhe zhvillimi i një shoqërie qytetare ku respektimi i identitetit etnik dhe mbrojtja e interesave të të gjithë qytetarëve do të jenë primare. Ky dokument, siç e ka edhe vetë emrin, ishte vetëm një bazë, kornizë mbi të cilën u bënë ndryshimet kushtetuese dhe reformat ligjore të cilat zbatimin e vet e gjejnë në fushën e decentralizimit, përfaqësimit të drejtë, procedurave votuese të veçanta parlamentare me të cilat mbrohen etnitë që nuk janë shumicë nga mbivotimi, në fushën e arsimimit, përdorimin e gjuhës, simboleve, shprehjen e identitetit kulturor dhe etnik si edhe masat për zbatimin e këtyre ndryshimeve”, tha më tej Xhaferi.

Ai përmendi se me kalimin e viteve, me përkrahjen e Qeverisë, të Parlamentit, janë bërë një sërë ndryshimesh në këtë drejtim.

“Gjatë kësaj periudhe, jo çdoherë çdo gjë ka rrjedhur lehtë dhe pa pengesa, Jo çdoherë kemi hasur në mirëkuptim, qoftë nga njëra palë, qoftë nga pala tjetër por, është vazhduar dhe do të vazhdohet për arsye se Maqedonia alternativë tjetër nuk ka”, tha Xhaferi duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit dhe parimet e saj janë mënyra e vetme me të cilën në shtetit tonë do të zhvillohet dhe do të avancohet demokracia, do të respektohet karakteri multietnik dhe të gjithë qytetarët  do i gëzojnë të gjitha të drejtat në mënyrë të barabartë.

“Që kjo të jetë kështu, nevojiten politikanë vizionarë, me përgjegjësi të madhe dhe vullnet të fortë politik. Politikanë që i bashkojnë e jo që i përçajnë bashkëqytetarët e vet. Është vështirë por detyra jonë është që të punojmë dhe ta meritojmë besimin që na e kanë dhënë qytetarët. Dhe besoni se ia vlen, ia vlen për gjeneratat e sotme, ia vlen për gjeneratat e ardhshme dhe për ato pas tyre”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat