Taktizime të partive shqiptare në prag të zgjedhjeve lokale

Maqedonia

Taktizime të partive shqiptare në prag të zgjedhjeve lokale

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 16:54
Ilustrim

Praktika e deritanishme ka treguar se në zgjedhjet e kaluara, partitë shqiptare, sidomos ato opozitare, edhe krahas disa tentimeve, gjithmonë kanë mbetur të përçarë dhe pa ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor, shkruan medial.mk.

Përpos Deklaratës së përbashkët e cila u arrit midis partive politike shqiptare, pas zgjedhjeve parlamentare, vështirë do të jetë të parashihet një mundësi tjetër e tillë e cila do t’i tubonte ata në një program të unifikuar. Praktika e deritanishme ka treguar se në zgjedhjet e kaluara, partitë shqiptare, sidomos ato opozitare, edhe krahas disa tentimeve, gjithmonë kanë mbetur të përçarë dhe pa ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor. Këtë situatë madje na e bënë më të qartë edhe vetë liderët e dy partive tanimë opozitare, Menduh Thaçi nga PDSH dhe Bilall Kasami nga BESA.

“Si lider i PDSH në mënyrë të sinqertë kam dhënë maksimumin dhe në mënyrë shumë të sinqertë jam angazhuar që për zgjedhjet lokale të bëjmë një koalicion me Lëvizjen BESA, por për fat të keq më duhet të konstatoj se nuk arritëm në një gjë të tillë, dhe për këtë nuk dua të shkoj edhe një hapë më tutje dhe të sqaroj arsyet pse, sepse kam frikë se do të keqkuptohem”, ka thënë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi në një takim me banorët e Çairit.

Edhe Kasami nga Lëvizja BESA në një qëndrim të tijin për Medial.mk, shpalosi për takimin që kishte pasur me numrin një të PDSH-së Thaçi, ndërsa ftesë i kishte bërë edhe kreut të LR- PDSH, Ziadin Sela.

“Unë kisha një takim me liderin e PDSH-së, konsultimet vazhdojnë, por deri më tani nuk ka ndonjë rezultat nga ai takim, poashtu bëra edhe një ftesë për kryetarin e LR-PDSH Ziadin Sela, dhe dëshirojmë të kemi takime me gjitha partitë shqiptarë përveç me BDI, por për një marrëveshje duhen së paku dy veta”, ka thënë Kasami.

Ndërkohë, këto takime dhe deklarata, analistët i kanë cilësuar si taktizime politike të liderëve në prag të zgjedhjeve lokale. Sipas Nijazi Muhamedit, deri në fund të afatit kur duhet të dorëzohen listat me emrat e kandidatëve, mund të kenë edhe tentativa tjera, ndërsa profesori universitar Isak Sherifi për Medial.mk, thekson se unifikimi i votës shqiptare ka qenë shumë i nevojshëm edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por tanimë kur rrezikohen komunat, “ky unifikim do të duhet të ndodhë gjithsesi, sepse në të kundërtën disa komuna shqiptare rrezikojmë t’i humbim”.

Kurse, ish ministri nga radhët e PDSH në qeverinë e Maqedonisë në periudhën 2006-2008 Xhelil Bajrami, ka pohuar se ky koalicion mes këtyre dy subjekteve do të ishte jo-produktiv.

“Një koalicion i këtyre dy subjekteve politike, i PDSH-së në ‘ikje’ dhe BESËS në ngritje do ishte jo-produktiv dhe në dëm të proceseve politike për të ardhmen. Këto zgjedhje megjithëse lokale duhet një herë e përgjithmonë të largojnë nga skena politike ata që për 25 vite e shkatërruan interesin kombëtar në Maqedoni”, ka thënë Bajrami.
Ndërkohë ka edhe disa zëra se PDSH dhe Lëvizja BESA kanë një marrëveshje koalicionimi e cila mëton të jetë funksionale në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, por hëpërhë gjithçka mbetet në sferën e spekulimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat