Vetëm një shqiptar në Akademinë Ushtarake. Maksuti qetëson

Maqedonia

Vetëm një shqiptar në Akademinë Ushtarake. Maksuti qetëson

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 06:51
ilustrim

Në listat e fundit të publikuara nga Akademia Ushtarake “Mihaillo Apostolloski”, për rrjedhën e pranimit të kandidatëve të ri për vitin akademik 2017/18, qëndron vetëm një kandidat shqiptar. Mirëpo, sipas zëvendëskryeministrit në Ministrin e Mbrojtjes, Bekim Maksuti, kjo fazë e pranimit të kandidatëve është pjesë e procesit të rregullt për ata kandidatë, të cilët paraprakisht i kanë kaluar të gjitha nivelet e provimit pranues pa probleme. Në kuadër të zhvillimeve të fundit në Akademinë Ushtarake, zëvendësministri Maksuti edhe njëherë thekson se qëndron pas deklaratave të dhëna më herët se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në këtë konkurs do të respektohet në përputhje me normën ligjore prej 25 për qind.

“Një pjesë e kandidatëve përsëri do t’i nënshtrohen provimeve të caktuara për pranim në Akademinë Ushtarake. Brenda kësaj periudhe, shkeljet procedurale për konkursin e shpallur nga Akademia i ka vërtetuar edhe Ministria e Arsimit. Nga ana tjetër, jemi në pritje të konstatimit të një fakti të tillë edhe nga Komisioni i Antikorrupsionit, i cili për momentin gjendet në pushim kolektiv. Njëherësh, dua të sqaroj se fillimi i vitit akademik nuk e pengon ripërsëritjen e një pjese të konkursit, me të cilën ne do ta respektojmë parimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në këtë akademi”, thotë për KOHA zëvendësministri Maksuti.

Njëkohësisht, ai për të satën herë me radhë apelon që kandidatët, të cilët do të aplikojnë në këto konkurse të jetë me nota të shkëlqyeshme, për arsye se gjatë periudhës së shkuar, është vërtetuar se kandidatët me nota mesatare të cilët pranohen në këtë Akademi, gjatë ciklit të studimeve katër vjeçare hasin në probleme në dhënien e provimeve. Ndërkohë, pas përfundimit të testeve në gjuhë angleze dhe në matematikë, gjegjësisht testimi për vlerësimin e përgatitjeve fizike që u realizuan në fundjavën e kaluara, në adresën e internetit Akademisë Ushtarake është publikuar lista preliminare e rangimit të kandidatëve për pranim në akademi, e cila është zhvilluar në bazë të konkursit të hapur më 4 maj të këtij viti. Komisioni konkurrues pesë anëtarësh i kryesuar nga kolonel Toni Gjorgjiev dhe katër anëtar tjerë, kandidatin shqiptar Amar Nimet Memedi e kanë vendosur në krye të listës prej pesë kandidatëve të pranuar në këtë fazë preliminare.

Ndërkohë, në Këshillin ligjor, i cili është pjesë e kësaj liste, Komisioni konkurrues ka theksuar se pesë kandidatët të pranuar në këtë fazë preliminare kanë të drejtë të ankesës, e cila brenda 24 orëve duhet të parashtrohet deri te zyra e Dekanatit të Akademisë përmes Komisionit konkurrues. Ndryshe, pas ankesave të shumta të kandidatëve për pranim në Akademinë Ushtarake, në qershor të këtij viti Ministria e Mbrojtjes solli vendim që të përsëritet i gjithë konkursi për kandidatët të cilët masovikisht u refuzuan. Ministria e Mbrojtjes në këtë rast ua pranoi ankesat kandidatëve të rënë nga testi psikik, kurse Akademia i nxori emrat në ueb faqen e saj se të njëjtit duhet të paraqiten për së dyti. Mirëpo, kandidatët e refuzuar pasi janë paraqitur për testim, nuk janë pranuar nga mjeku përkatës i cili pa asnjë arsyetim nuk i ka pranuar kandidatët, dhe me këtë veprim nuk e ka përfillur vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas kandidatëve, problemi me kontrollet psikiatrike qëndron te mjeku psikiatër, Petre Ristevski, i cili deri më sot ka qenë i pakapshëm për të sqaruar arsyet pse nuk e respekton vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Shkeljet dhe parregullsitë me këtë konkurs i ka pranuar edhe vetë Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shkereinska, e cila tha se për dallim nga vitet e mëhershme, këtë viti konkursi është shpallur shumë më herët, me çka ish përbërja e kësaj ministrie ua ka cenuar të drejtë e konkurruesit një pjesë të madhe të nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat