Maqedonia, në kërkim të një Prokurori të Përgjithshëm

Maqedonia

Maqedonia, në kërkim të një Prokurori të Përgjithshëm

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 00:11
ilustrim

Pas shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Maqedonisë, pritet së shpejti të fillojë gara për plotësimin e postit të zbrazët. Autoritetet qeveritare thonë se prokurorinë publike duhet ta drejtojë një personalitet i paanshëm dhe me përvojë për t’ia kthyer namin e mirë këtij institucioni. Prokurorin e miraton parlamenti me shumicë të thjeshtë votash.

Autoritetet në Maqedoni po bëjnë përpjekje për gjetjen e shpejtë të një kuadri për në krye të Prokurorisë Publike, pasi parlamenti e shkarkoi Marko Zvërlevskin nga posti, para dy ditësh.

Zëdhënësi Mile Boshnjakovski u tha gazetarëve se qeveria synon që gjatë zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm publik të shikohen në radhë të parë interesat e Republikës së Maqedonisë

“Zgjedhja e një profesionisti, përkatësisht e një personaliteti nga ky profesion, me dinjitet dhe që do t’ia kthejë reputacionin Prokurorisë publike”, tha zëdhënësi duke shtuar se:" krye-prokurori i ri do të jetë një njeri i cili e respekton kushtetutën e vendit dhe që do të veprojë në mënyrë të paanshme dhe me përgjegjësi në ndarjen e drejtësisë”.

Ish-kryeprokurori Zvërlevski fajësohej nga qeveria e re dhe shumica parlamentare për afërsinë e tij me zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së tashmë opozitare, për mungesë veprimesh dhe profesionaliteti në detyrë.

Zoti Zvërlevski nuk kishte ngritur asnjë procedurë hetimore ndaj ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë për të cilët kishte një mori regjistrimesh të bisedave telefonike të publikuara në skandalin e përgjimeve, ku ish-ministra dhe vetë ish-kryeministri Nikolla Gruevski dëgjoheshin duke folur për manipulime në më shumë fusha, si zgjedhjet, bizneset, korrupsioni, ndikimi në media, etj.

Tashmë disa figura të njohura në publik si ekspertë ligjorë pohojnë se po konkurrojnë për postin numër një të Prokurorisë publike. Avokatë, ish-prokurorë, e gjykatës si Xvonko Davidoviç, Aleksandar Nakov, Sejfulla Osmani, Aleksandar Tortevski synojnë ta marrin drejtimin e Prokurorisë së përgjithshme publike.

Kryeprokurorin e propozon qeveria; Këshilli i Prokurorëve publikë e miraton ose jo propozimin dhe e njofton qeverinë, e cila më pas propozimin e dërgon në parlament për miratim. Parlamenti e miraton prokurorin me shumicë të thjeshtë votash, përkatësisht 61 vota deputetësh.

Shqiptarët, ndërkaq shpresojnë se një prokurori e drejtë dhe e pa ndikuar nga politika mund të jetë një pararendës i reformave të mirëfillta në gjyqësorin e korruptuar dhe para së gjithash do të kontribuonte për zbardhjen një herë e përgjithmonë të rasteve si ai i Smilkovcës, Sopotit, Kumanovës, etj. për çka janë akuzuar ose vuajnë dënime të gjata nëpër burgje një numër shqiptarësh, ndërsa nuk ekzistojnë prova të fuqishme për përfshirjen e tyre në krimet e kryera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat