Fillon beteja për zgjedhjet lokale në Maqedoni

Maqedonia

Fillon beteja për zgjedhjet lokale në Maqedoni

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 15:50
Ilustrim

Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, partitë po grumbullojnë emrat e kandidatëve për kryetar komunash. BDI në komunën e Çairit do të kandidojë me zv/ministrin për Arsim Visar Ganiu, ndërkaq gjatë mbrëmjes së djeshme kjo parti vendosi që të mos përkrah kandidatin e pavarur për komunën e Kërçovës, duke nominuar edhe për një mandat kryetarin aktual të Kërçovës, Fatmir Dehari.

Sipas informatave të Alsat, BDI në komunën e Tetovës do të garojë përsëri me Teuta Arifin ndërkaq në Gostivar me Nevzat Bejtën.

”Mendoj që kemi bë një përzgjedhje të shkëlqyeshme me profesor-doktor Visar Ganiu i cili deri më tani ka qenë i kyçur në aktivitetet shoqërore, qoftë të sportit e qoftë të lëmive tjera, pra i dëshmuar edhe vet edhe familjarisht duke i kontribuar shoqërisë dhe me shumë bindje e them se edhe më suksesshëm pasi gjen një komunë e cila më është trasuar rruga e jo një komunë në formim e sipër, do e shohim në sukseset e reja, në projekte të reja dhe në përmirësimin e standardeve të qytetarëve të Çairit, ka mbështetjen e fuqishme të Izet Mexhitit dhe të tjerëve”, deklaroi Izet Mexhiti, BDI.

Nga Lëvizja Besa nuk shpalosin emra të mundshëm të kandidatëve për kryetarë komunash, ndërkaq shprehen të prerë se për Komunën e Kërçovës do të mbështesin kandidatin e pavarur. Ndërkohë mësojmë se në Tetovë Besa do të kandidojë me liderin e saj Bilall Kasami. Jo zyrtarisht Kasami në garën për të parin e Tetovës do ta gëzoj edhe mbështetjen e LR-PDSH-së, por kjo pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës të LR-PDSH-së.

”Deri më tani nuk kemi ndonjë emër konkret por besoj se shumë shpejt do na i dorëzojnë emrat dhe propozimet nga degët përkatëse të Lëvizjes Besa për kandidatët e mundshëm dhe në fund do të vendos Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa. ” Ne kemi dal me një qëndrim zyrtar sa i përket komunës së Kërçovës sepse konsiderojmë se duhet të dilet me një kandidat të përbashkët me konsensus të gjithë faktorëve relevant të Komunës së Kërçovës, me një kandidat të pranuar, profesionist, dhe një kandidat I cili do t’i çlirojë qytetarët e Kërçovës nga frika dhe presioni që iu bëhet nga figura të caktuara”, deklaroi Faton Fazliu, BESA.

Nga LR PDSH thonë se gjatë ditës së nesërme kjo parti do të mbajë mbledhje në të cilën do të diskutohet mbi emrat e kandidatëve për kryetar komunash.

”Kryesia qendrore e LR PDSH-së ditën e nesërme do të mbajë mbledhjen e rregullt të saj, ku temë do të jetë përgatitja për zgjedhjet lokale”, bëjnë me dije nga LR PDSH-ja.

Ethet zgjedhore kanë filluar të ndjehen edhe në bllokun politik maqedonas. Nga LSDM-ja thonë se ditëve në vijim do të publikojnë emrat e të gjithë kandidaturave.

Në mbledhjen e kryesisë qendrore që u mbajt pardje zgjodhem shefin e shtabit qendror zgjedhor i cili filloi përgatitjet për zgjedhjet lokale. Tanimë kemi publikuar katër kandidatë, për komunat tjera po bëhet analiza plotësuese, gjatë periudhës së ardhshme do të dalim me kandidaturat për kryetar komunash në gjithë vendin- tha Blagoj Bocvarski, LSDM.

Deri më nëntë shtator, partitë politike kanë afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash. Zgjedhjet lokale në vend do të mbahen më 15 tetor ndërkaq fushata zgjedhore fillon më 25 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat