Liderët e Maqedonisë lënë pushtetin për komunat

Maqedonia

Liderët e Maqedonisë lënë pushtetin për komunat

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 20:43
Zijadin Sela

Nëse gara për zgjedhjet lokale do të ishte lojë shahu, partitë politike në Maqedoni po luajnë me figurat më të larta për të fituar fronin e komunave.

Ekspertët thonë se burrështetasit që vijnë nga partitë politike parlamentare po sakrifikojnë funksionet e larta të pushtetit qendror për të mos humbur garën në vetëqeverisjen lokale për zgjedhjet e 15 tetorit.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, deputeti Zijadin Sela do të garojë për të rimarrë Komunën e Strugës.

Bashkëpartiaku i tij dhe njëherit ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, ka zyrtarizuar kandidimin për kryetar të Gostivarit, shkruan TV21.tv.

Lideri i Lëvizjes Besa, deputeti Bilall Kasami për të kryesuar Komunën e Tetovës do të sfidohet edhe me deputetin e PDSH-së Bardhyl Dautin, kurse deputeti tjetër i Lëvizjes Besa Zeqirja Ibrahimi për Komunën e Çairit do të ballafaqohet me zëvendësministrin e Arsimit, Visar Ganiun nga radhët e BDI-së.

Për analistin Ismet Ramadani, partitë politike që kandidojnë me liderët, ministrat, zëvendësministrat, apo edhe deputetët e tyre tregojnë dobësi se cilësinë e kuadrove e kanë të kufizuar për funksione të rëndësishme.

“Nga ana tjetër sikur u servojnë qytetarëve kandidat, të cilët shumë më pak do e prekin interesin e në nivel lokal. Ata kandidat të politikës shtetërore, të cilët vihen në funksion lokal edhe më tutje do të merren me politikë të lartë, e përnjëherë do të harrojnë interesat e përditshme që i kanë në kuadër të vetëqeverisjes lokale”, tha Ismet Ramadani, analist.

Nga LSDM, deputeti Petre Shilegov do të garojë për të marr Qytetin e Shkupit, kurse nga VMRO DPMNE jo zyrtarisht thuhet që deputeti Johan Tarçullovski do të kandidojë për Komunën e Kisella Vodkës.

Analisti Agim Jonuz thotë se lakmia për pushtet është e pashtershme nga burrështetasit tanë, të cilët interesat personale i vënë para ardhmërisë së shtetit.

“I gjithë aparati shtetëror që ka për qëllim të vendoset në nivel lokal, dëshmon se ata duan me çdo kusht të mbajnë nën kontrolle pushtetin, i cili do të thotë fuqi, kurse kjo e fundit do t’u hap të gjitha dyert për të bërë biznes dhe para. Elita politike në Maqedoni ka bërë ngatërrim të tmerrshëm në mes asaj se cili është interesi shtetëror, interesi politik, interesi personal apo cili duhet të jetë interesi i ardhmërisë së Maqedonisë”, u shpreh Agim Jonuz, analist.

Ekspertët parashikojnë se në katër ditët e fundit të paraqitjes zyrtare të kandidatëve nga partitë politike do të ketë edhe surpriza të reja.

Nëse jo kandidim të liderëve, sipas analistëve politikë, deri në skadimin e afatit më 14 shtator, edhe më shumë emra deputetësh e zëvendësministrash do të gjenden në listat për garën e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat