Bilall Kasami: Me Thaçin nuk u morëm vesh, ftova edhe Selën

Maqedonia

Bilall Kasami: Me Thaçin nuk u morëm vesh, ftova edhe Selën

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 15:16
Bilall Kasami

Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me gjitha partitë shqiptare, përveç me BDI-në e Ali Ahmetit. Rreth bashkëpunimit për zgjedhjet lokale, Kasami ishte takuar me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, por nuk është dakordësuar asgjë konkrete. Ftesë për takim tanimë i është dërguar edhe liderit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela.

Hëpërhë nuk dihet nëse Kasami do të arrijë të dakordojë koalicion parazgjedhor me Thaçin dhe Selën, ku më 15 tetor është caktuar termini zgjedhor.

“Ashtu siç e di opinioni, unë kisha një takim me kryetarin e PDSH-së, ndërsa për takim e ftova edhe kryetarin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela. Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat, por komunikimi vazhdon. Ne si Lëvizje BESA do të kishim dashur që të kemi një takim edhe me kryetarin e LR-PDSH-së që të këmbejmë qëndrimet tona. Maksimalisht jemi të përgatitur për bashkëpunim me të gjithë partitë e shqiptare, përveç BDI-së, të cilën e llogarisim fajtorin kryesor për diskriminimet dhe gjendjen e vështirë në të cilën gjenden shqiptarët në Maqedoni”, deklaron për Medial.mk, Kasami.

Edhe pse BESA është e hapur për bashkëpunim për zgjedhjet lokale, megjithatë siç thotë Kasami, “për këtë nevojiten së paku dy palë”.

“Për çdolloj bashkëpunimi nevojiten së paku dy vetë. Nga ana jonë kemi gatishmëri dhe këtë e tregojmë edhe me vendimin e fundit nga kryesia qendrore, ku themeluam edhe Komision për bashkëpunim ndërpartiak për zgjedhjet lokale”, thotë Kasami i BESËS.

Në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor, tani për tani nuk dihet nëse partitë shqiptare do të arrijnë të dakordojnë koalicione parazgjedhore, apo do garojnë të vetme. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013, të gjitha partitë shqiptare vet hyrën në garë, me përjashtim të bashkëpunimit etnik për komunat e Strugës dhe Kërçovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat