Kandidati i Besës për Çair: Zaev i do vetëm shqiptarët e korruptuar, Ligji për Gjuhën – mashtrim

Maqedonia

Kandidati i Besës për Çair: Zaev i do vetëm shqiptarët e korruptuar, Ligji për Gjuhën – mashtrim

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 13:41
Kandidati i Besës për Çair

LSDM i do shqiptarët e korruptuar sepse i zhvatë më lehtë; në këtë mënyrë e stimulon krimin dhe korrupsionin te shqiptarët dhe shqiptarët janë liga e dytë dhe të parëndësishëm, mjafton të jenë vota që Zaevi të ketë pushtet. Ndërsa ligji për gjuhën shqipe është një mashtrim në prag të zgjedhjeve lokale. Kështu shprehet Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA dhe kandidat për kryetar të Çairit.

Ibrahimi thotë se kur bëhet fjalë për shqiptarët, LSDM-ja dhe VMRO-ja janë njësoj dhe, sipas tij, kryeministri Zaev nuk i ka parë asnjëherë shqiptarët si qytetarë të vendit të tij.

Për kryeministrin shqiptarët janë vota me anë të të cilëve do të arrinte pushtetin. Kjo është edhe arsyeja që, siç thotë ai, LSDM ka bashkëpunim me të njëjtën BDI që më parë e akuzonte rëndë.

“Po ajo LSDM që shiste kopalla për luftë kundër korrupsionin, madje i publikonte BDI-së përgjime në të a.q. bomba si dëshmi se sa ishin të korruptuar funksionarët e BDI-së, pa të keq pranoi t’i ketë edhe ministra po ata”, është shprehur anëtari i Besës.

Ndërsa për simpatinë që duket se shqiptarët kanë për kryeministrin Zaev, marrë parasysh se ai mori dhjetëra mijëra vota nga ta, Ibrahimi thotë se Zaev tregoi fytyrën e tij dhe vetëm pasi erdhi në krye të ekzekutivit dëshmoi se nuk i do shqiptarët, ndërsa deklaratat e kryeministrit për të mashtruar shqiptarët, duke u thënë atë që dëshirojnë të dëgjojnë, do të zgjasin deri pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Realiteti është se ai (Zaev) i do shqiptarët vetëm si votues, por jo edhe si shqiptarë. Shembullin më të më mirë e keni në Çair, Tetovë e Gostivar, ku ai e mbështet po atë parti që deri dje e quante pjesë të regjimit të krimit dhe korrupsionit, pra BDI-në”, është shprehur Ibrahimi.

Por, sipas tij, Zaev tashmë është demaskuar dhe është i sigurt se shqiptarët nuk do ia falin tashmë sepse ‘ata nuk janë mashë që të përdorën nga kreu i Qeverisë maqedonase’.

“Shqiptarët e votuan atë sepse ai ishte kundër regjimit VMRO-BDI, por kur ai bëhet me BDI-në, shqiptarët nuk janë as me të, as me BDI-në”, thotë kandidati për kryetar të Cairit, rreth bashkëpunimit në nivel qendror e lokal mes BDI’së dhe LSDM’së.

E Ligji për gjuhën shqipe - që është çështja që ka shoqëruar qeverisjen e Zaevit së bashku me partnerët shqiptarë, BDI’në e Aleancën për Shqiptarët, - është përpjekje për përfitime politike dhe shumë dyshimtë për Lëvizjen Besa.

Ibrahimi thotë se Ligji për shqipen erdhi në Kuvend në vigjilje të zgjedhjeve lokale që siç shprehet ai, ‘nuk është as mish as peshk’. Ai shpjegon se me këtë ligj gjuha shqipe prapë nuk barazohet me gjuhen maqedonase, por vetëm avancon.

“Ishte ky edhe një mashtrim i LSDM-së dhe i partnerëve të saj shqiptarë. U pa se cili është qëllimi i tij dhe tashmë është e qartë se nuk është tema te gjuha, por te përfitimi politik për zgjedhjet lokale”, ka shtuar ai.

Ai ka shpjeguar edhe rezultatin që, sipas tij, ka krejt historia e gjuhës shqipe në Kuvend.

“LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca e kanë sjellë në Kuvend ligjin për përdorim të gjuhëve vetëm në leximin e parë, që ky ligj të kalojë në fazën e parë para zgjedhjeve lokale, por askush nuk mund të garantojë se ai nuk do të pësojë ndryshime në leximin e dytë. Madje, vetë Zaevi paralajmëroi se ligjin do ta dërgojë edhe në Komisionin e Venedikut, me çka ndryshimet do të jenë pashmangshme, ashtu siç ka paralajmërime ai se vetë LSDM-ja, përmes njerëzve të saj, do të iniciojë që ligji të bjerë pastaj në Gjykatën Kushtetuese”, ka treguar Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se historia bashkëpunuese e filluar mes LSDM’së dhe BDI’së, për të cilën nuk ka asnjë rëndësi pozita e shqiptarëve, tregohet edhe në garën për Shkup, ku partia e Ali Ahmetit nuk ka kandiduar askënd për përfaqësim të shqiptarëve në kryeqytet.

“Një parti shqiptare, që pretendon se është më e madhja, nuk nxjerr kandidat për Qytetin e Shkupit, duke hequr dorë nga prania e shqiptarëve në Shkup. Ky është çmimi me të cilin ajo i shet shqiptarët: mjafton të fitojë në Çair, ani se shqiptarët mbeten të papërfaqësuar në Shkup”.

“Ky qytet ka qenë dhe ne synojmë të mbetet një nga tri bërthamat e shqiptarisë dhe ne nuk mund të heqim dorë nga Shkupi siç hoqi dorë BDI-ja. Nuk mund ta lejojmë që edhe në Shkup të na përsëritet shembulli i Manastirit vetëm sepse katundarët e Zajazit nuk ia dinë vlerën shqiptarisë së Shkupit”, është shprehur ai.

Ibrahmi thotë se derti i Besës është si ta mbrojnë indin kombëtar nga jugosllavizimi i ri që nga kanoset nga LSDM-ja, ndërsa BDI, sipas tij, e kanë dertin si ta forcojnë edhe më LSDM-në me vota shqiptare.

Por, Besa nuk i frikësohet aleancës së krijuar tanimë mes BDI’së e LSDM’së në Çair e në disa komuna.

“Kështu vetëm e kanë zbuluar të vërtetën për ata. Ne, madje, u kemi bërë thirrje ta marrin edhe VMRO-në në koalicion. Që t’i mundim përnjëherë te gjithë. Shqiptarët e Çairit e kanë marrë vesh këtë hile dhe tashmë janë rreshtuar në mbrojtje prej këtij mashtrimi

Qëllimet e lëvizjes shqiptare janë tri sosh në garën për Shkup. “Një – që shqiptarët të përfaqësohen në Shkup; dy – që kryetari i Shkupit të zgjidhet në balotazh, në mënyrë që shqiptarët të mund të përfitojnë nga ai që do të zgjidhet; dhe tre – që shqiptarët të kenë përfaqësim dinjitoz në Shkup”

E për t’i arritur këto qëllime Besa ka kandiduar Nafie Selmanin, një grua, e cila është e para shqiptare që garon për Shkupin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat