Opozita kundërshton ligjin për amnisti në Maqedoni

Maqedonia

Opozita kundërshton ligjin për amnisti në Maqedoni

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 13:04
Kuvendi i Maqedonise

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar propozim-ligjin për amnisti i cili deri në miratimin e tij duhet të kalojë në disa faza, përfshirë edhe debatin publik. Nga Qeveria thonë se propozimi paraqet “shprehje të vullnetit të mirë të shtetit ndaj një grupi të caktuar të personave të dënuar, me qëllim të risocializimit të tyre dhe për lirimin e burgjeve nga numri i madh i personave që aktualisht vuajnë dënimin me burg, si dhe përmirësimin e kushteve në institucionet ndëshkuese-përmirësuese”.

Propozimi do të shqyrtohet nga më shumë grupe ekspertësh para se të miratohet në Kuvend, pasi sipas Ministrisë së Drejtësisë bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që kërkon analiza të detajuara për të respektuar të gjitha kriteret ndërkombëtare si dhe të drejtat e të burgosurve.

“Ky propozim-ligj në draftin e paraqitur parasheh amnisti të plotë për personat e dënuar deri më gjashtë muaj burg, ndërsa të gjithë të tjerët do të përfitojnë lirim prej 30 për qind nga masa e shqiptuar e dënimit. Propozimi nuk do të përshijë veprat penale të parapara me Kodin Penal të Maqedonisë, vrasjet në bazë të nenit 123 të Kodit Penal, veprat kundër njerëzimit, veprat kundër shtetit, veprat kundër gjinisë dhe të drejtës ndërkombëtare e të tjera”, thotë Bilen Saliji.

Por, nga OBRM-PDUKM propozimin e Qeverisë e vlerësojnë si përpjekjet të partisë LSDM të Zoran Zaevit, për siç thuhet, keqpërdorimin e të burgosurve në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

“Zaev me amnistinë i mashtron të burgosurit dhe i keqpërdor për qëllime paraelektorale. Loja me propozim-ligjin për amnisti për shkelësit e ligjit, kryerës të veprave penale nuk është asgjë tjetër përveç se korrupsion zgjedhor dhe bashkëpunim me të burgosurit para zgjedhjeve. Zoran Zaev nuk është i sinqertë me njerëzit që janë në burgje. Ai dëshiron që t’i shfrytëzojë si makineri votuese, duke krijuar me këtë kaos dhe demonstrim të banditizmit. Këtë qytetarët do ta dënojnë më 15 tetor”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së.

Organizatat joqeveritare që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut kërkojnë reforma më të thella në sistemin e politikës ndëshkimore. Ato thonë se amnistia ka për qëllim uljen e numrit të të burgosurve për shkak të mbipopullim të burgjeve, por kjo sipas tyre nuk e zgjidh problemin me sistemin katastrofal të këtyre institucioneve, të cilat duhet të kenë rol për risocializimin e të dënuarve, apo ngritjen e vetëdijes së tyre për mospërsëritjen e veprave për të cilat janë dënuar.

“Ligji për amnisti nuk do ta zgjidh problemin me burgjet, pasi është vetëm se një segment nga problemet e grumbulluara. Do të zgjidh çështjen e mbipopullimit, por nuk do të zgjidh problemin me korrupsionin. Mendoj se ky është problem më i madh që duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Në burgje kemi një shoqëri të dënuarve ku nuk vlejnë ligjet e Maqedonisë. Kritika për gjendjen në burgjet kemi pasur nga më shumë institucionet ndërkombëtare, të cilat kushtet në burgje i kanë kualifikuar si torturë dhe jo si institucione që duhet të shërbejnë për risocializimin e këtyre njerëzve”, ka deklaruar Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.

Edhe Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka kritikuar kushtet në burgje, duke bërë thirrje për ngritjen e cilësisë dhe trajtimin njerëzor të të burgosurve.

“Kushtet në burgje në mënyrë të drejtpërdrejt godasin mbi dinjitetin e njeriut andaj edhe nuk mund të flasim se ata në mënyrë humane apo dinjitoze po e kryejnë dënimin me burg. Maqedonia nuk është e fundit por edhe shumë me keq se fundi sa i përket kushteve në burgje, këtu nuk kemi metoda të socializimit por dhunë dhe keqtrajtime të ndryshme mbi këta njerëz”, thotë Mehmeti duke kërkuar reforma të thella në institucionet ndëshkimore të vendit.

Në burgun më të madh të vendit në Idrizovë të Shkupit, ka rreth 2 mijë të burgosur nga 800 sa është kapaciteti i tij. Një pjesë e tyre me miratimin e amnistisë mund të lirohen ndërsa një pjesë tjetër mund të përfitojnë në uljen e dënimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat