BE mbështet Maqedoninë për parandalimin e likuidimit të kompanive

Maqedonia

BE mbështet Maqedoninë për parandalimin e likuidimit të kompanive

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 12:49
Zhbogar

Në organizim të Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), në Shkup filloi konferenca ndërkombëtare dyditore për falimentimin dhe likuidimin, në të cilën u theksua nevoja për modernizimin e kornizës ligjore në mënyrë që kompanive t'u jepet mundësi e dytë në vend të likuidimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekti për forcimin e kapaciteteve administrative do të implementohet nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa kap vlerën prej 1.3 milion euro të financuara nga BE. Synimi është përforcimi i mjedisit të biznesit në Maqedoni dhe mundësimi që vendi të jetë destinacion biznesi me atraktiv.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në hapjen e konferencës theksoi se vetë fakti që dikasteri që drejton ai do të zbatojë këtë projekt, tregon nevojën e diskutimeve dhe debateve të këtilla, të cilat, sipas tij, do të sjellin në përforcimin e kapaciteteve mbi këtë çështje.

"Besojmë në mbështetjen e BE-së për modernizimin e kornizës ligjore mbi falimentimin, Me qasje të re dhe fokus drejt ristrukturimit të kompanive, në vend të likuidimit të tyre. Në përputhje me direktivat e BE-së për ristrukturimin preventiv, vendet anëtare tanimë punojnë me zgjidhje të reja ligjore. Për këtë arsye, Maqedoni nuk duhet të mbetet mbrapa", deklaroi Bekteshi, duke shtuar se Maqedonia do t'i ndjekë këto vende, për rritjen e vetëdijes për parandalimin e hershëm dhe fillimin e hershëm të ristrukturimit.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, tha se dalja nga tregu ka pasoja negative për ekonominë dhe shoqërinë, me humbjen e punësimeve dhe njohurive. Ai bëri thirrje në zbatimin e rregullave të reja ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, do të parandalojnë falimentimin e kompanive, në mënyrë që atyre t'u jepet mundësi e dytë për riorganizim.

"Në BE, gjysma e të gjitha bizneseve nuk i mbijetojnë pesë viteve të para të ekzistencës së tyre. 200 mijë kompani falimentojnë çdo vit, që do të thotë 600 në ditë, duke rezultuar në 1.7 milion humbje direkte të vendeve të punës çdo vit", tha Zhbogar.

Gjatë këtyre dy ditëve në konferencë, do të marrin pjesë ekspertë nga rajoni dhe më gjerë, si Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Finlanda, të cilët do t'i shkëmbejnë përvojat e vendeve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat