Premtimet e kandidatëve për Komunën e Bogovinës

Maqedonia

Premtimet e kandidatëve për Komunën e Bogovinës

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 16:48
Kandidatet për Komunën e Bogovinës

Është dita e dytë e fushatës zgjedhore për kandidatët që garojnë në zgjedhjet lokale në komunat e Maqedonisë. Kandidatëve të komunave të Pollogut, do t’iu jepet hapësirë për të shpalosur tre pikat më të rëndësishme që e bëjnë të dallueshëm nga kundërshtari politik. Kësaj rradhe, bëhet fjalë për kandidatët për Komunën e Bogovinës.

Komuna e Bogovinës, është rast i ndjeshëm por edhe politikisht më i ndërlikuar. I ndjeshëm për faktin se ish-kryetari i Bogovinës, Hazbi Idrizi, u vra më 06.05.2017 nga një punonjës poashtu i komunës, ende për arsye të panjohura. Edhe pse u emërua ushtrues detyre, kjo ka bërë më të vështirë funksionimin e institucionit. Në këtë komunë për zgjedhjet lokale garojnë: Minur Asani nga Lëvizja Besa, Albon Xhemaili nga Aleanca për Shqiptarët, BDI garon me Berzah Bejtullahu nga BDI, Vebi Xhemaili nga rradhët e PPD-së si dhe Elvir Iseni, kandidat i PDSH-së.

”Plani urbanistik do të dihet saktë si do të duket”, kështu e fillon deklaratën e tij kandidati i Lëvizjes Besa, Minur Asani. Ai thotë se komuna në 20 apo 30 vitet e ardhshme, nuk do të ketë ndërtime të egra dhe pronat publike nuk do të zaptohen me ndërtime pa leje.

”Zhvillim ekonomik, gjegjësisht ndihmë ndërmarrjeve për bashkëpunim me ndërmarrjet jashta vendit. Ekologji, rregullimi përfundimtar i mbeturinave, rregullimi i parqeve, ngritja e vetëdijës për ambientin, mbjellja e fidaneve.

Sfera e arsimit do të jetë ku ne do të përqëndrohemi më së shumti. Shkolla të depolitizuara, zgjedhja e drejtorit nga kolektivi i arsimtarëve, mirëmbajtje të objekteve shkollore, rregullim të kabineteve, avancim të arsimtarëve, bashkëpunim me shkollat jashta vendit, dhurata për nxënësit e suksesshëm si dhe bursa për studime për më të mirët, honorare për arsimtarët që do të sjellin rezultate në gara të ndryshme. Sa i përket kulturës, prej një komune pa asnjë aktivitet kulturorë drejt një komune me aktivitete të shumta kulturore. Ndërtim të një Shtëpie të kulturës, ndihmë shoqërive kulturore artistike që janë mometalisht pa asnjë aktivitet.

Rregullimi i qendrave rekreativo-sportive në të gjitha vendbanimet njëjtë si në fshatin Bogovinë, rregullimi i terreneve sportive si dhe ndihmë për klubet e ndryshme sportive që janë afër shkatërrimit”, ka theksuar Asani.

Albon Xhemaili është kandidati nga rradhët e Aleancës për shqiptarët. Ai thotë se infrastruktura, arsimi dhe kultura do të jenë kyçe gjatë qeverisjes lokale.

”Zhvillimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës lokale dhe ambientit jetësor. Poashtu një ndër prioritet kryesore do të jetë arsimi, kultura dhe sporti, pa anashkaluar zhvillimin ekonomik lokal.

Pa rritje të transparencës nuk ka politikë të mirëfilltë. Transparenca dhe llogaridhënia do të jetë shtylla kryesore që do ta bëjë komuna përgjatë mandatit tonë. Qytetarët duhet ta dijnë ku shkojnë paratë dhe realizimi i projekteve”, shton Xhemaili.

Kandidati që pretendon të jetë kryetar në Komunën e Bogovinës, Berzah Bejtullahu nga BDI, deklarohet se, progresi i rinisë, përmirësimi i gjendjes së shoqërisë në aspektin ekonomik, investime kapitale në sfera të ndryshme, do të jenë pikat kyçe që do të përqëndrohet gjatë mandatit të tij.

”Kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e çdo reforme shoqërore, infrastrukturore dhe edukativo-arsimore.

Me ardhjen time në Komunë, do të vazhdojë edhe më tej me angazhime dhe strategji më të gjërë të vlerave shoqërore pa dallim të klasave sociale.

Progresi i rinisë, përmirësimi i gjendjes së shoqërisë në aspektin ekonomik, investime kapitale në sfera të ndryshme, infrastrukturë evropiane dhe administratë e mirëfilltë nën ingerencat e komunës, janë ndër prioritetet e agjendës së tij”, potencon kandidati i BDI-së.

Përveç këtyre tre kandidatëve të prononcuar, Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar disa herë kandidatin e PPD-së Vebi Xhemaili dhe Elvir Isenin nga rradhët e PDSH-së, por nuk është treguar gatishmëri të përgjigjen në pyetjet e parashtruara, me gjasë, agjenda e tyre e ngjeshur me banorët e komunës përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat