Partitë pas votave me premtime të parealizueshme

Maqedonia

Partitë pas votave me premtime të parealizueshme

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Premtime nga më të ndryshmet, që nga bulevardet, sheshet, shkollat, lagjet moderne, spitalet, transporti urban, urat, mbikalimet e nënkalimet e deri tek gazifikimi i çdo qyteti. Këto janë vetëm disa nga premtimet e partive në Maqedoni në takimet me elektoratin.

Por, ekspertët dyshojnë në mundësinë për realizimin e premtimeve të tilla pasi për disa prej tyre nevojiten vite të tëra për t’u realizuar, apo kur dihet se premtime të tilla kishte edhe në mandatin e kaluar e që nuk janë kryer. Konstatin Dimitrov nga Komiteti Energjetik i Maqedonisë ndalet në veçanti në premtimet për gazifikimin që ishin të pranishme thuajse te shumica e kryetarëve të komunave.

“Gazifikimi është realitet, nevojë dhe detyrimi që qytetarët të kenë edhe këtë alternativë që të mund të zgjedhin se çfarë do të përdorimin për nevojat e tyre. Nga kjo të gjithë do të ketë përfitime përfshirë edhe ambientin jetësor. Por kjo nuk mund të bëhet brenda natës apo për një mandat të kryetarëve të komunave. Nevojitet më shumë vite për rrjetin e shpërndarjes, kuadër cilësor, bëhet fjalë për projekt delikat që mund të bëjnë dëme të mëdha nëse nuk dimë ta bëjnë, nevojiten trajnime, shërbime të posaçme për mirëmbajtjen e kështu me radhë. Është premtim më tepër për pikë politike se sa real. Jo se nuk mund të realizohet, por kjo nuk mund të bëhet brenda natës”, thotë Dimitrov.

Edhe Ilija Todorovski, profesor i ekonomisë në Universitetin e Manastirit thotë se premtimet e tilla më shumë bëhen për fushatë elektorale se sa si mundësi për realizimin e tyre gjatë katër viteve të ardhshme.

Premtime për gazifikimin dhe ndërtimin e shesheve moderne janë dëgjuar edhe në disa komuna të cilat përballen me mungesë të infrastrukturës elementare.

Todorovski thotë se partitë duhet të kenë kujdes gjatë ofertave pasi në të kundërtën humbin besimin e elektoratit gjë që dëshmohet edhe më rënien e numrit të atyre që dalin në votime.

“Premtime të tilla edhe në komunat më të zhvilluara është vështirë të realizohen. Bëhet fjalë për fushatë zgjedhore dhe gjithkush premton gjithçka për zhvillimin e komunës, por mundësitë për këtë janë të kufizuara. Ka gjëra që mund të zbatohen, por edhe të dalësh dhe të premtosh para njerëzve projekte që vështirë realizohen edhe nga pushteti qendror. Premtime për gazifikimin kemi pasur edhe para katër viteve, por gjërat nuk kanë lëvizur fare nga ajo periudhë. Këtu vetëm se premtohet dhe pas zgjedhjeve gjithçka kthehet në gjendjen e parë”, thotë Ilija Todorovski, profesor i ekonomisë në Universitetin e Manastirit.

Ai thotë se projekte të tilla mund të bëhen realitet, por për këtë duhet studime të thella, kuadër i përgatitur, donacione apo investime nga qoftë nga brenda po edhe nga jashtë. Pra, sipas profesorit Todorovski këtu në radhë të parë duhet të vijë në shprehje aftësia e drejtuesve të pushtetit lokal për menaxhimin dhe realizimin e projekteve madhore për zhvillimin e komunave.

Jonuz Abdullahu, profesor i administratës publike në Universitetin e Evropës Juglindore thotë se kryetarët e komunave fillimisht duhet të shohin mundësitë e tyre për investime e më pas të dalin me programe zgjedhore. Por sipas tij realiteti po dëshmon të kundërtën.

“Jam i bindur se kandidatët për kryetarë të komunave apo shumica e tyre nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen që e kanë komunat. Ata vlerësoj se duhet të interesohen dhe të marrin informata për gjendjen momentale të tyre, por këtë ata nuk po e bëjnë pasi më tepër janë të interesuar për kolltukun e të parit të komunës duke menduar se problemet do të mund lehtë që t’i zgjidhin. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se qytetarët nesër do të mund të bëjnë bllokada pasi nuk janë të kënaqur dhe kanë humbur besimin në institucionet shtetërore, në veçanti tek ato lokale pasi nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbime përkatëse”, thotë Abdullahu.

Zgjedhjet lokale mbahen më 15 tetor ndërsa në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Qytetin e Shkupit marrin pjesë 19 lista të partive politike dhe disa koalicione me kandidat të pavarur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat