Zgjedhjet e shpeshta, lodhje për qytetarët

Maqedonia

Zgjedhjet e shpeshta, lodhje për qytetarët

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 19:10
Ilustrim

Përqindja e elektoratit që votoi në zgjedhjet e 6-ta lokale në vend , në komunat me shumicë shqiptarë, ishte më e ulët se në komunat me shumicë maqedonase. Kjo vërehej nga të dhënat zyrtare të publikuara dje në konferencat e njëpasnjëshme të KSHZ-së.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të realizuara në vitin 2013, përqindje më të ulët  të elektoratit që ka votuar, ka Kërçova  dhe atë deri në orën 17:00, 22,65% më pak.

Sipas profesorit Sefer Tahiri, një nga elementë që ka ndikuar për të pasur rezultat të tillë është edhe fakti që në Maqedoni çdo dy vjet organizohen zgjedhje.

“ Përkundër faktit dhe vlerësimeve të bëra nga optimistët e mëdhenj të zhvillimit të demokracisë, se vërehej një vullnet më i madh i elektoratit për të dalë në zgjedhje, fatkeqësisht u evidentua apatia, e cila në njëfarë mënyrë dihej se ekziston. Megjithatë, trendi i uljes së përqindjes së elektoratit që voton, në komunat shqiptare, nuk është ndikuar vetëm nga një arsye, por janë disa. Unë konsideroj se partitë politike duhet të riformatohen, në dhënien e ofertave inovative programore dhe kadrovike, kjo do të ndikonte në motivimin e elektoratit, pasi në të gjitha zgjedhjet kemi premtime për ujë për pije, ose mbushje të gropave. Një tjetër ndikues për shfaqjen e kësaj apatie është edhe fakti që në Maqedoni çdo 2 vjet kemi zgjedhje, 2006,2008,2011, 2013, 2014 2016 dhe këto të fundit. Për një popull si ne është lodhje e madhe kjo”- thotë profesori Sefer Tahiri.

Në anketën e bërë me qytetar, të gjithë thoshin se kanë votuar, por lodhjen nga zgjedhjet e shpeshta, e cekin edhe ata..

Megjithatë, sipas Tahirit, ekziston mundësia që në zgjedhje të shpeshta të parakohshme të mos kemi ardhur vetëm për shkak të mosfunksionimit të koalicioneve, por krijimi i një situate të tillë mund të jetë bërë qëllimisht përmes një skenari të planifikuar.

“ Ndoshta është bërë edhe me skenar, në mënyrë që të ulet pesha e votës dhe kështu partitë të cilat tek ne janë me traditë dhe histori, të vazhdojnë të qëndrojnë në pozitat e tyre, sepse nga ky votim konsideroj se humbin partitë politike, humbin kryetarët e komunave të cilët do të zgjidhen me legjitimitet të siguruar prej 50% të votave. Duhet cekur edhe roli i qytetarit, i cili duket se po tregohet jo aktiv. Nëse në ditën e zgjedhjeve ka nga ata individë të cilët qëndrojnë në shtëpi duke e parë procesin dhe vet nuk dalin që të kryej obligimin qytetar, atëherë nuk kemi si pretendojmë që në të ardhmen të kemi një sistem politik suedez, por do të kemi atë që kemi pasur deri më tani”- përmbylli deklaratën e tij, profesori Sefer Tahiri.

Një tjetër arsye e cila ka ndikuar që numri i votuesve në këto zgjedhje ishte më i vogël se në ato të vitit 2013, është numri i madh i të rinjve të cilët janë zhvendosur në vendet perëndimore. Sipas analistit Mersel Bilalli,të rinjtë janë larguar duke mos parë perspektivë në vendin tonë.

“ Shumë të rinj janë larguar nga vendi dhe kjo sigurisht që ka ndikuar në uljen e numrit të qytetarëve të cilët kanë votuar. Të rinjtë nuk kanë parë të ardhme të sigurtë dhe kanë zgjedhur që të vazhdojnë jetën e tyre në vendet perëndimore, dhe po, jam I bindur se ky migrim është një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në këtë rezultat”- shprehet bindshëm analisti Mersel Bilalli.

Në Listën Zgjedhore, për zgjedhjet e 6-ta lokale në vend, të drejtë vote kishin 1.814 844 qytetarë.

Nga OSBE/ODIHR kanë vlerësuar se zgjedhjet lokale kanë kaluar në atmosferë të mirë dhe të qetë, janë organizuar mirë, sipas të gjithë standardeve ndërkombëtare, me disa gabime të vogla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat